Udhëheqësit e Swiss Tropical and Public Health Institute (Swiss TPH) dhe një grup i ekspertëve, i drejtuar nga drejtori i Swiss TPH, Jürg Utzinger, javën që shkoi vizituan Kosovën, për të parë nga afër progresin e Projektit AQH dhe në veçanti rezultatet e përkohshme të hulumtimit ‘Kosovo Non-Communicable Cohort’ (KOSCO). Hulumtimi i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) përmes Projektit AQH, ka për qëllim të kontribuojë me evidenca epidemiologjike në zbulimin dhe kontrollin e sëmundjeve kronike në Kosovë, si dhe të mbështesë bazat e mëtejshme të politikave të shëndetit publik dhe proceset e vendim-marrjes lidhur me këto sëmundje në Kujdesin Parësor Shëndetësor.
Rëndësia e hulumtimeve shëndetësore për intervenimet e projektit, sikurse edhe shkëmbimet e përvojave të përbashkëta gjatë punës në hulumtim, ishin pjesë e rëndësishme e agjendës së takimeve ndërmjet drejtorisë së Swiss TPH, Universitetit të Prishtinës dhe ekipit të hulumtimit.
Swiss TPH po ashtu organizoi vizitë në terren në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë, një prej komunave partnere të Projektit AQH, që nga fillimi i projektit në vitin 2016.