Më 11 qershor 2025, u zhvillua takimi i tretë i Komitetit Drejtues (KD) të fazës përfundimtare të Projektit Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor (AQH) 2024-2027 në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Lipjan. I bashkë-kryesuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, takimi mblodhi së bashku palët kryesore të interesit nga Ministria e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHP), përfaqësues të komunave të Kosovës, Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve të Kosovës për të shqyrtuar progresin e projektit dhe për të diskutuar planin e kapitalizimit të AQH-së për të siguruar qëndrueshmërinë e ndërhyrjeve.
Duke hapur takimin, z. Peter Sidler, Zëvendësdrejtor i Bashkëpunimit Ndërkombëtar në Ambasadën e Zvicrës dhe bashkëkryesues i Komitetit Drejtues, theksoi rëndësinë e fazës aktuale të projektit. “Kjo fazë e projektit është thelbësore për sa i përket dorëzimit të aktiviteteve në aspektin e qëndrueshmërisë,” ceku ai, duke vërejtur gjithashtu “Jam i mendimit që është gjë shumë mirë që e kemi Komitetin Drejtues këtu [në Lipjan, një nga vendet demonstruese të projektit] … ku në të vërtetë projekti po bën ndryshimin.”
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, z. Naim Bardiqi, gjithashtu theksoi rëndësinë e kësaj faze, duke thënë që ‘rëndësia e fazës së tretë të projektit është e konsiderueshme pasi përqendrohet në konsolidimin e arritjeve,’ dhe theksoi rolin e saj në përforcimin e progresit të bërë me institucionet dhe partnerët.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të vizitojnë vendin demonstrues të QKMF-së dhe të shohin nga afër një numër ndërhyrjesh të zbatuara të projektit. Ata vizituan Këshillin e Pacientëve, u informuan rreth komponentëve të Menaxhimit të Cilësisë (p.sh. auditimet klinike) dhe panë shërbimet e ofruara nga infermieret e Qendrave të Burimeve Shëndetësore (Këshillimoreve) për pacientët kronik, të gjitha këto duke kontribuar në qasjen e vazhdueshme dhe bashkëpunuese për përmirësimin e cilësisë së kujdesit parësor shëndetësor, veçanërisht në menaxhimin e Sëmundjeve jo-ngjitëse (SJN) në nivel komunal.
Gjatë takimit, Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (DSHMS) në Lipjan, z. Shkelzen Hajdini, së bashku me Drejtorin e QKMF-së, z. Agim Krasniqi, prezantuan ndërhyrjet e mbështetura nga projekti, duke theksuar rolin e komunës në mobilizimin e komunitetit dhe vlerën e vendit demonstrues në ndarjen e mësimeve të nxjerra, dhe shprehën angazhimin e tyre për të mbështetur këto ndërhyrje. Z. Besim Kodra, nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve të Kosovës, prezantoi rolin dhe gjendjen aktuale të Këshillave të Pacientëve. Ekipi i AQH-së përfundoi prezantimet e KD-së me planin e kapitalizimit të projektit, duke përshkruar hapat e mëtejshëm për përfshirjen e praktikave të suksesshme dhe sigurimin e qëndrueshmërisë së ndërhyrjeve të mbështetura nga projekti brenda sistemit të shëndetit publik.
Këshilli Drejtues, i cili mblidhet dy herë në vit, do të vazhdojë të shërbejë si platforma më e rëndësishme për koordinim me nisma të tjera, harmonizimin me politikat kombëtare shëndetësore dhe shkëmbimin e informacionit gjatë gjithë fazave të zbatimit të aktiviteteve të AQH-së.