Gjakova inauguron Shërbimin e Parë Komunal të Kujdesit Paliativ

Nga 30 maji, qytetarët e Gjakovës do kenë qasje në shërbimin e dedikuar të Kujdesit Paliativ. I inauguruar në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Ereniku” nëpërmjet bashkëpunimit të Komunës së Gjakovës dhe projektit Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor (AQH), i mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), ky shërbim shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e shërbimeve shëndetësore lokale.

Kujdesi paliativ luan rol kyç në mbështetjen e pacientëve me sëmundje të rënda dhe kronike duke ofruar jo vetëm trajtim mjekësor, por edhe kujdes emocional e psikologjik, duke siguruar mbështetje si për pacientët ashtu edhe për familjet e tyre. Ai fillon në momentin e diagnostikimit dhe ofrohet së bashku me trajtimet kurative, duke u përqendruar në përmirësimin e cilësisë së jetës, menaxhimin e simptomave dhe adresimin e nevojave fizike, emocionale dhe sociale. Integrimi i tij në sistemin publik të shëndetit pasqyron angazhimin për kujdes të përqendruar tek njerëzit dhe për kujdes empatik.

Gjatë inaugurimit, Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, theksoi se:

“Kujdesi nuk ka të bëjë vetëm me shërimin, por me praninë dhe dinjitetin. Ndihem veçanërisht i lumtur që Gjakova, nga sot, po e bën këtë realitet.’’

Drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Adelina Shehu Kola, vuri në dukje se kujdesi paliativ është një hallkë thelbësore në sistemin shëndetësor, ndërsa përfaqësuesi i AQH-së, Nicu Fota, vlerësoi bashkëpunimin dhe gatishmërinë e Komunës për këtë shërbim, duke siguruar qëndrueshmëri dhe pronësi afatgjatë lokale.

Pas ceremonisë, përfaqësues nga Gjakova, Deçani, Prizreni, Prishtina, Lipjani dhe Ministria e Shëndetësisë u mblodhën në një tryezë të rrumbullakët për të shkëmbyer përvoja. Gjakova ndau procesin e saj për krijimin e shërbimit, dhe komuna të tjera shprehën interes të fortë në zhvillimin e modeleve të ngjashme të kujdesit në komunitetet e tyre.

Ministria e Shëndetësisë ka krijuar një grup punues për ta integruar kujdesin paliativ në të gjitha nivelet e shërbimet të kujdesit shëndetësor parësor në të gjithë Kosovën, duke kapërcyer hendekun kritik në kujdesin afatgjatë të përqendruar te pacienti për personat me sëmundje kronike ose terminale.

Ky bashkëpunim thekson se si angazhimi lokal mund të nxisë përmirësime domethënëse dhe të qëndrueshme në kujdesin shëndetësor.