Kujdesi i Integruar (KI) si koncept i ri në Kosovë promovon kujdesin shëndetësor me pacientin në qendër përmes bashkëpunimit ndërsektorial si dhe rrit motivimin për pacientët që të qëndrojnë fizikisht aktivë dhe ta mirëmbajnë shëndetin. Qëllimi i KI-së është ta përmirësojë mirëqenien dhe statusin funksional të pacientëve me gjendje kronike përmes një koordinimi më të mirë të shërbimeve të ofruara nga sektorët shëndetësor dhe social. Në kuadër të diseminimit të Kujdesit të Integruar në Komunën e Lipjanit, më 04.03.2021 është mbajtur punëtoria e përbashkët me ekipet e Lipjanit, mbështetur nga ekipi i Fushë Kosovës ku morën pjesë përfaqësues të Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) dhe Qendrave për Punë Sociale (QPS). Fushë Kosova është pilot komuna e parë e Projektit AQH ku po zbatohet modeli i Kujdesit të Integruar që ka për qëllim ta përmirësojë cilësinë e kujdesit shëndetësor për pacientët e moshës mbi 65 vjeç, të cilët janë diagnostikuar me diabetin tipi 2.
Gjatë punëtorisë u shqyrtua edhe Kujdesi ndaj të Moshuarve dhe hartimi i Planeve Individuale të Kujdesit si dhe u demonstrua vlerësimi i matjes së forcës muskulare përmes pajisjes “Handgrip Dynamometer”.