Ministria e Shëndetësisë mban takim të Mekanizmit Sipas Kërkesës për koordinimin e qëndrueshmërisë së ndërhyrjeve të AQH-së

Ndryshimi i qëndrueshëm në sistemet shëndetësore arrihet kur ndërhyrjet që japin rezultat shndërrohen në praktika që zgjasin. Sigurimi i kësaj vazhdimësie kërkon një qasje sistematike ndaj koordinimit, integrimit dhe përvetësimit në të gjitha nivelet e sistemit shëndetësor. Në Kosovë, Mekanizmi On-Demand, i themeluar në maj të vitit 2024 në kuadër të Grupit Punues të Ministrisë së Shëndetësisë (ish-Grupi Ad-Hoc), shërben për të siguruar qëndrueshmërinë e ndërhyrjeve të Projektit AQH dhe për të koordinuar zgjerimin e këtyre ndërhyrjeve.

Gjatë takimit të fundit, të mbajtur më 26 mars 2026, përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë (MSh), Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), si dhe përfaqësues nga komunat e Fushë Kosovës, Skenderajt, Suharekës dhe Podujevës, u dakorduan për hapat e ardhshëm për të mbështetur integrimin gradual të ndërhyrjeve të suksesshme të AQH-së në sistemet shëndetësore kombëtare dhe komunale, si dhe zgjerimin e tyre.

Diskutimet u përqendruan në fushat kryesore të ndërhyrjes, përfshirë vazhdimësinë dhe zgjerimin e Këshillimoreve, të njohura zyrtarisht si Dhomat e Edukimit dhe Promovimit Shëndetësor, ndërsa u paraqit edhe kostoja e shërbimeve për të mbështetur planifikimin buxhetor të Ministrisë së Shëndetësisë dhe për të lehtësuar zgjerimin dhe vazhdimin e funksionalizmit të tyre. U trajtua gjithashtu roli dhe formalizimi i Këshillave të Pacientëve (KP-ve). Po ashtu, palët u dakorduan të vazhdojnë koordinimin përmes takimeve përcjellëse për të harmonizuar mbështetjen për prioritetet komunale, përfshirë pajisjet mjekësore dhe ndërhyrjet në menaxhimin e cilësisë.

Diskutimet e mëtejshme nxorën në pah edhe përpjekjet e vazhdueshme të Ministrisë së Shëndetësisë për hartimin dhe zbatimin e një skeme financimi të bazuar në performancë për Kujdesin Parësor Shëndetësor (KPSH), me synim përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, llogaridhënies dhe efikasitetit në të gjithë sistemin.

Këto diskutime synojnë të mbështesin bashkëfinancimin dhe tranzicionin e plotë të ndërhyrjeve në nivel qendror dhe lokal, duke e forcuar njëkohësisht grupin që të shërbejë si platformë koordinimi ndërmjet komunave dhe MSh-së për shërbime më të fuqishme të KPSh-së që u përgjigjen nevojave të qytetarëve.

Shaban Osmanaj, Udhëheqës i Divizionit të Kujdesit Parësor Shëndetësor në Ministrinë e Shëndetësisë dhe kryesues i grupit, theksoi rolin e mekanizmit në hapat në vijim, duke theksuar se, meqë AQH-ja ndodhet në fazën e fundit, grupi duhet të shërbejë si mjet për shkëmbimin e përvojave dhe koordinim, në mënyrë që Ministria e Shëndetësisë të mund të vazhdojë t’i mbështesë ndërhyrjet e prezantuara nga projekti.

Merita Stavileci, Zyrtare e Lartë e Programit në Ambasadën e Zvicrës, theksoi rëndësinë e qëndrueshmërisë së ndërhyrjeve të lehtësuara nga AQH, me mbështetje të SDC-së. “Në këtë fazë të projektit, qëndrueshmëria është tejet e rëndësishme”, tha ajo, duke shtuar se këto ndërhyrje janë me vlerë pasi u përgjigjen drejtpërdrejt nevojave të qytetarëve dhe pacientëve, ndërsa vlerësoi edhe përkushtimin e komunave dhe të Ministrisë së Shëndetësisë për të siguruar vazhdimësinë e tyre.

Kadrije Berisha, Drejtoreshë e Departamentit për Buxhet dhe Financa në Ministrinë e Shëndetësisë dhe nënkryesuese e grupit punues, theksoi edhe dimensionin financiar, duke shtuar se grupi punues është i rëndësishëm për të siguruar që buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë të akomodojë dhe të përfshijë praktika të mira, të dëshmuara, që përmirësojnë cilësinë e kujdesit dhe shëndetin e qytetarëve.

Në këtë kontekst, koordinimi i vazhdueshëm dhe përkushtimi i përbashkët institucional janë elemente kyçe për të siguruar qëndrueshmërinë dhe zgjerimin e ndërhyrjeve efektive në kujdesin parësor shëndetësor. Përpjekje të tilla do të forcojnë më tej shërbimet për sëmundjet jo ngjitëse (SJN-të) dhe do të kontribuojnë në përmirësime të qëndrueshme të shëndetit për qytetarët në tërë Kosovën.