Pas Konferencës Ndërkombëtare të AQH-së “Drejt një Kujdesi Shëndetësor të Integruar në Kosovë”, të mbajtur në shkurt të vitit 2016, u organizua një tryezë e rrumbullakët me akterët kryesorë për t’i informuar ata rreth planeve dhe aktiviteteve të Projektit për Kujdesin e Integruar Shëndetësor dhe për ta prezantuar Fushë Kosovën si pilot komunë për zbatimin e Kujdesit të Integruar Shëndetësor.
Pjesëmarrësit në tryezën e rrumbullakët ishin nga institucionet kryesore aktere si: Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Drejtori i Departamentit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (DShMS), Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) dhe Drejtori i Qendrës së Mirëqenies Sociale (QMS) në Fushë Kosovë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHP), Qendra për Zhvillimin e Mjekësisë Familjare (QZhMF), Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK), Save the Children, Qendra për edukimin e vazhdueshëm infermierik (QEVI), UNICEF, UNFPA, OBSH, OJQ-të (Health for all, Balkan Sunflowers dhe Handikos).
Tryeza e rrumbullakët filloi me prezantimin e konceptit të Kujdesit të Integruar shëndetësor në kontekstin e Kosovës të prezantuar nga eksperti ndërkombëtar Dr. Manfred Zahorka, Drejtor i Projektit AQH. Gjatë diskutimit, pjesëmarrësit mbështetën përzgjedhjen e Fushë Kosovës si një pilot komunë duke marrë parasysh bashkëpunimin e tyre të mëparshëm me këtë komunë dhe u pajtuan që hapat e ardhshëm do të ishin që të krijohet një grup pune në nivel të komunës i cili do të udhëheqë zhvillimin e një modeli të kujdesit të integruar shëndetësor për tu zbatuar në Fushë Kosovë, i mbështetur nga projekti AQH.