Më 4 qershor 2024, përfaqësuesit e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) në Kosovë mbajtën takime kyçe në Drenas dhe Prizren, të cilët në qendër kishin të drejtat e pacientëve, fuqizimin dhe sistemin shëndetësor me pacientin në qendër.
Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Drenas, në diskutimet me Drejtorin Ismet Bogiqi, me Drejtoreshën Komunale të Shëndetësisë Lumnije Krapi dhe me Kryesuesen e Këshillit të Pacientëve Kadire Tahiraj u theksua mbështetja gjithëpërfshirëse e ofruar nga SDC-ja përmes projektit Kujdesi shëndetësor i qasshëm dhe cilësor (AQH), që përfshin përmirësimet e infrastrukturës, ngritjen e kapaciteteve dhe programet e promovimit të shëndetit.
Veçanërisht, themelimi i Këshillit të Pacientëve u theksua si një element jetik në përmirësimin e kujdesit ndaj pacientëve. Në Prizren, përfaqësuesit e SDC-së Laurent Torche, Merita Mustafa dhe Nicholas Jenny u angazhuan me bordin dhe anëtarët e Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve të Kosovës (PRAK). Diskutimet u fokusuan në historinë e PRAK-ut, punën e tij të vazhdueshme dhe transformimin institucional që po kalon në bashkëpunim me Projektin IHS.
Ky partneritet synon të fuqizojë rolin e PRAK-ut si mbrojtës i të drejtave të pacientëve, të zgjerojë rrjetin e organizatave që promovojnë kujdesin shëndetësor me pacientin në qendër dhe ta afirmojë atë si një aktor të rëndësishëm rajonal. Besim Kodra nga PRAK-u konfirmoi misionin e tyre, duke thënë: “Ne vazhdojmë në misionin tonë: për mbrojtjen e të drejtave të pacientëve!”