Takimi i Mekanizmit “Sipas Kërkesës” Përforcon Përpjekjet për një Kujdes Shëndetësor të Qëndrueshëm në Kosovë

Mekanizmi sipas kërkesës, i njohur zyrtarisht si Grupi Punues Ad Hoc, mbajti takimin e tij të fundit më 7 tetor 2025. Udhëhequr nga Ministria e Shëndetësisë, takimi mblodhi së bashku përfaqësues nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Ministria e Shëndetësisë, komunat dhe Projekti AQH.

Diskutimet u fokusuan në arritjet e deritanishme të Projektit AQH, në zgjerimin e ndërhyrjeve të suksesshme dhe në garantimin e qëndrueshmërisë së tyre, me projektin që po hyn në fazën përfundimtare.

Merita Stavileci Mustafa, Zyrtare e Lartë e Programit në Ambasadën Zvicerane, theksoi rëndësinë që kanë këto takime për koordinimin e përpjekjeve dhe për sigurimin e qëndrueshmërisë së ndërhyrjeve të projektit AQH, gjërsa projekti po hyn në fazën e tij përfundimtare.

Dr. Shaban Osmanaj, udhëheqës i Divizionit për Kujdesin Parësor Shëndetësor në Ministrinë e Shëndetësisë, theksoi qëndrueshmërinë e projektit, duke shtuar se gradualisht po bëhen përpjekje për të integruar dhe zgjeruar ndërhyrjet e mbështetura nga AQH brenda sistemit shëndetësor.

Gjatë takimit, Komuna e Lipjanit, si një nga komunat demonstrative të projektit AQH, ndau përvojën e saj në planifikimin e buxhetit për Edukimin dhe Promovimin Shëndetësor, si dhe për Zhvillimin e Vazhdueshëm Profesional. Komunat e tjera pjesëmarrëse patën mundësinë të parashtrojnë pyetje, të shkëmbejnë përvoja dhe të mësojnë nga praktikat e Komunës së Lipjanit.

Themeluar në maj të vitit 2024, nga Ministria e Shëndetësisë, Mekanizmi sipas Kërkesës shërben si platformë koordinimi dhe mësimi midis Ministrisë së Shëndetësisë, komunave dhe AQH-së. Qëllimi kryesor i këtij mekanizmi është të mbështesë zgjerimin e ndërhyrjeve të suksesshme të projektit AQH në komuna të reja dhe të forcojë bashkëpunimin për përmirësimin e vazhdueshëm të kujdesit parësor shëndetësor në Kosovë, duke u bazuar në pronësi lokale, të nxënit ndërmjet kolegëve dhe në harmonizim me prioritetet kombëtare.

Deri në vitin 2024, AQH ka mbështetur 20 komuna, duke mbuluar rreth 50% të popullsisë së Kosovës. Në fazën e tretë dhe të fundit, të 38 komunat e Kosovës janë ftuar të jenë pjesë e projektit përmes Mekanizmit sipas kërkesës. Deri më tani, 14 komuna të reja kanë paraqitur zyrtarisht kërkesën për t’u përfshirë dhe aktualisht po marrin mbështetje.