Takim i komunitetit shëndetësor për forcimin e shëndetit dhe mirëqenies sociale lokale

Në takimin e fundit të Kolegjiumit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të Asociacionit të Komunave të Kosovës, të mbajur më 4 dhjetor 2024 e të kryesuar nga dr. Izet Sadiku, Drejtor i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, u diskutua rreth ngjarjeve kryesore që kanë të bëjnë me shëndetësinë dhe mirëqenien sociale në komuna.

Prezantimet kryesore ishin nga Shkëlzen Hajdini, Drejtor i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Lipjanit, i cili ndau praktikat më të mira në buxhetimin për edukimin dhe promovimin shëndetësor, një nismë që tregon përkushtimin për avancimin e kujdesit parandalues në kuadër të shërbimeve të kujdesit parësor shëndetësor.

Udhëheqësi i ekipit të projektit AQH, Nicu Fota, ofroi përditësime në lidhje me mekanizmin “sipas kërkesës” për mbështetjen e komunave të reja në zbatimin e ndërhyrjeve të projektit, me fokus në mbështetjen e iniciativave të filluara tashmë në komunat e angazhuara më herët.

Takimi vazhdoi me prezantimin e një vlerësimi të përgjithshëm të trendeve në cilësinë e kujdesit në institucionet e kujdesit parësor shëndetësor, me rekomandime të zbatueshme përmes veprimeve për përmirësime në të ardhmen. Një temë tjetër e diskutuar kishte të bënte me sfidat në sigurimin e qasjes tek mbështetja dhe shërbimet thelbësore për fëmijët e cenueshëm dhe familjet e tyre, duke kërkuar kështu përgjigje më serioze.

Takimi shërbeu si një platformë shkëmbimi përvojash dhe bashkëpunimi për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore.