Sesionet e ndërgjegjësimit fuqizojnë pacientët me sëmundje kronike në Kosovë

Për shumë njerëz, shenjat e hershme të sëmundjeve kronike vërehen shumë vonë. Ato shpesh neglizhohen, keqkuptohen ose pranohen si pjesë e jetës së përditshme. Qasja e kufizuar në informata të besueshme shëndetësore mund ta vonojë diagnostikimin, duke e bërë parandalimin dhe menaxhimin më të vështirë se që do të duhej të ishte.

Në mbarë botën, 1.4 miliardë njerëz jetojnë me hipertension, por vetëm një në pesë persona arrin ta menaxhojë atë në mënyrë adekuate, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Në Kosovë, sëmundjet kronike jongjitëse si hipertensioni, diabeti dhe astma vazhdojnë të rëndojnë gjithnjë e më shumë mbi individët, familjet dhe sistemin shëndetësor.

Si pjesë e përpjekjeve për ta përmirësuar ndërgjegjësimin e hershëm dhe parandalimin, gjatë periudhës shtator–dhjetor 2025, sesionet e ndërgjegjësimit arritën të përfshijnë më shumë se 1,600 qytetarë në mbarë Kosovën përmes 66 sesioneve. Fokusi ishte tek pacientët me sëmundje kronike dhe komunitetet më të vogla e që marrin më pak shërbime, ndërsa pjesëmarrësit u identifikuan në bashkëpunim me stafin mjekësor lokal.

Pacientët me sëmundje kronike kanë nevojë për kujdes të vazhdueshëm dhe informata në kohë, ndërsa këto komunitetet shpesh hasin vështirësi në qasjen ndaj udhëzimeve të besueshme shëndetësore. Këto sesione kontribuuan në përmirësimin e qasjes në informata shëndetësore, duke fuqizuar qytetarët me njohuritë që u nevojiten që t’i dallojnë simptomat herët, ta menaxhojnë më mirë gjendjen e tyre shëndetësore dhe ta përmirësojnë shëndetin afatgjatë.

 “Sesionet janë shumë të rëndësishme pasi rrisin ndërgjegjësimin dhe përmes tyre arrijmë tek kategoritë më të cenueshme, veçanërisht tek anëtarët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, të cilët preken më shumë nga diabeti dhe hipertensioni,” shpjegon ‘Mundësia’, njëra nga organizatat që po i zbatojnë këto sesione.

Sesionet përfshinë edhe persona të shurdhër, të cilëve iu dhuruan pajisje për monitorimin e sheqerit në gjak (glukozës) me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Diabetit.

Të udhëhequra nga mjekët e mjekësisë familjare, sesionet theksuan informata të qarta dhe praktike. Pjesëmarrësit diskutuan simptomat që po përjetonin, mësuan si t’i dallojnë shenjat paralajmëruese të hershme dhe iu realizuan matje shëndetësore që mbështetën zbulimin e hershëm dhe referimin për kujdes të mëtejmë kur ishte e nevojshme.

“Kur njerëzit i kuptojnë herët rreziqet për shëndetin e tyre, ata kanë më shumë gjasa të bëjnë ndryshime të qëndrueshme dhe të shëndetshme. Edukimi është një nga mjetet më efektive që kemi,” theksoi dr. Pula, mjeke e mjekësisë familjare, e cila udhëhoqi një nga sesionet e ndërgjegjësimit.

Pjesëmarrësit nuk morën vetëm informata shëndetësore, por mësuan edhe aftësi praktike. Mjekët u treguan se si ta matin tensionin e gjakut dhe sheqerin në gjak në shtëpi, shpjeguan sa shpesh duhet të bëhen këto matje dhe theksuan rëndësinë e kontrolleve të rregullta, duke i bërë ata të ndihen më të sigurt në menaxhimin e shëndetit të tyre dhe në parandalimin e komplikimeve.

“Mësova t’i njoh simptomat e diabetit jo vetëm për veten, por edhe për familjen. Kur vura re shenja të ngjashme tek babai im, e dija si t’ia matja sheqerin në gjak dhe ta dërgoja te mjeku,” tregoi një pjesëmarrës i këtyre sesioneve.

Duke kombinuar ekspertizën mjekësore me angazhimin e drejtpërdrejtë në komunitet, sesionet e ndërgjegjësimit ndihmuan në ndërtimin e besimit, i inkurajuan pjesëmarrësit të veprojnë herët, të menaxhojnë gjendjen e tyre shëndetësore dhe i fuqizuan që njohuritë e fituara t’i ndajnë me familjet dhe komunitetet e tyre.

Sesionet e ndërgjegjësimit u realizuan nga organizatat lokale: Mundësia, Syri i Vizionit, KOPF dhe Politeia, duke mbështetur përpjekjet e vazhdueshme për zbulimin e hershëm të Sëmundjeve Kronike Jo-Ngjitëse, parandalimit dhe vetëmenaxhimit në mbarë Kosovën.