Përfundon me sukses Trajnimi i Trajnerëve mbi Udhërrëfyesit dhe Protokollet Klinike

Ministria e Shëndetësisë (MSH) e Kosovës organizoi në Prishtinë Trajnimin katërditor të Trajnerëve mbi Udhërrëfyesit dhe Protokollet Klinike. Ky program, i zhvilluar në përputhje me Planin e Veprimit të MSH-së për zbatimin e Udhëzimit Administrativ 06/2023, u krijua për t’i pajisur profesionistët e kujdesit shëndetësor me aftësitë e nevojshme për t’i përshtatur dhe zhvilluar udhërrëfyesit dhe protokollet klinike.

Në mesin e pjesëmarrësve ishin përfaqësues nga nivelet e kujdesit shëndetësor parësor, dytësor dhe tretësor, duke siguruar një qasje gjithëpërfshirëse që përfshin të gjithë sektorët e sistemit të kujdesit shëndetësor. Kjo iniciativë pasqyron përkushtimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe partnerëve të saj për përmirësimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor në Kosovë duke promovuar praktikat e standardizuara klinike në mbarë vendin.

Trajnimi u akreditua nga Odat e Profesionistëve Shëndetësorë, duke i dhënë njohje zyrtare dhe vlerë të shtuar programit, i cili mbështetet nga partnerët strategjikë të MSH-së, projektet Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor (AQH) dhe Shërbime Shëndetësore të Integruara (IHS).