Pas muajsh udhëtimi, Karvani “përSHËNDETje” përmbyll udhëtimin e tij nëpër Kosovë

Pas muajsh udhëtimi, Karvani Shëndetësor “përSHËNDETje” mbërriti në Prizren në një ditë me shi në nëntor, duke shënuar ndalesën e fundit të rrugëtimit të tij gjithandej vendit për vitin 2025.

I vendosur në qendër të qytetit, një varg tavolinash shërbyen si pika informimi, ndërsa vullnetarët i udhëzuan qytetarët përgjatë karvanit për kontrola bazike shëndetësore dhe informim mbi stilin e shëndetshëm të jetesës e sëmundjet kronike jongjitëse (SKJ-të).

Që nga shtatori, Karvani Shëndetësor ka udhëtuar nëpër 26 komuna të Kosovës, duke arritur në qendra qytetesh, fshatra dhe madje edhe qendra tregtare, me synimin për ta sjellë promovimin e shëndetit dhe kujdesin parandalues më pranë komuniteteve, në hapësira të qasshme dhe të njohura për ta.

Në çdo ndalesë, qytetarët u ftuan të bisedojnë drejtpërdrejt me profesionistë shëndetësorë, të marrin konsultime bazike mjekësore dhe matje shëndetësore, përfshirë matjet e peshës trupore, tensionit të gjakut dhe nivelit të glukozës, si dhe të mësojnë më shumë rreth stileve më të shëndetshme të jetesës.

Njëkohësisht, këto aktivitete ndihmuan në identifikimin e faktorëve të rrezikut për SKJ-të dhe rasteve që nuk janë diagnostikuar më parë. Gjatë gjithë rrugëtimit, vullnetarët dhe organizatat partnere trajtuan disa nga rreziqet më të shpeshta shëndetësore në Kosovë, përfshirë ushqyerjen jo të shëndetshme, përdorimin e duhanit, konsumimin e alkoolit dhe mungesën e aktivitetit fizik, duke inkurajuar hapa praktikë drejt një shëndeti më të mirë afatgjatë.

Në vitin 2025, karvani shënoi vitin e shtatë të funksionimit të tij. Vetëm gjatë këtij viti, u përfshinë mbi 4,000 persona, ndërsa kontrollet shëndetësore çuan në identifikimin e 176 rasteve të reja të sëmundjeve kronike jongjitëse.

“Karvani më ndihmoi të filloj të kujdesem më shumë për shëndetin tim, të cilin e kisha lënë pas dore,” tregoi një pjesëmarrës i karvanit. Profesionistët shëndetësorë të përfshirë vunë në dukje se pjesëmarrësit “në nevojë” vendosën të kërkojnë ekzaminime të mëtejme mjekësore pasi morën këshilla gjatë karvanit.

“Pas kontrolleve shëndetësore bazike, disa pjesëmarrës kërkuan pa vonesë ekzaminime mjekësore dhe shprehën mirënjohjen e tyre për këtë iniciativë, duke sqaruar se kishte pasur momente kur nuk ishin ndier mirë, por për shkak të mungesës së kohës ose për shkak të neglizhencës personale nuk ishin konsultuar me ndonjë mjek më herët.

Përmes karvanëve, ata patën mundësi t’u bëjnë pyetje drejtpërdrejt profesionistëve shëndetësorë, të realizojnë matje shëndetësore aty dhe të kuptojnë më mirë gjendjen e tyre shëndetësore,” shpjegoi Klementina Kelmendi nga Syri i Vizionit, njëra nga organizatat që po e zbatojnë karvanin në rajonin e Dukagjinit.​

Pjesëmarrësit tek të cilët u evidentua hipertensioni u udhëzuan të kërkojnë kujdes mjekësor, ndërsa ata me diabet u inkurajuan për monitorim të rregullt dhe paraqitje në institucionet e Kujdesit Parësor Shëndetësor për vlerësim dhe menaxhim të mëtejmë.

Lidhja e komuniteteve me institucionet shëndetësore

Përtej kontrolleve shëndetësore bazike, Karvani Shëndetësor ndihmon në ndërtimin e besimit dhe afrimit mes qytetarëve dhe institucioneve shëndetësore, duke ua mundësuar njerëzve të bëjnë pyetje, të marrin këshilla dhe të bashkëveprojnë me profesionistë shëndetësorë në një mjedis joformal.

“I konsiderojmë karvanët shëndetësorë shumë të rëndësishëm sepse lidhin institucionet me qytetarët,” tha një infermiere nga QKMF në Obiliq, e pranishme në Karvan. Parandalimi dhe zbulimi i hershëm janë hapat më të rëndësishëm në menaxhimin e SKJN-ve.

Prandaj, karvani shërben si një “dorë që ofron ndihmë” në identifikim dhe edukim.

“Për ne, parandalimi dhe zbulimi i hershëm janë thelbësorë,” tha një mjek në Prizren gjatë ndalesës së fundit. “Kur diabeti zbulohet shumë vonë, pasojat mund të jenë të rënda, përfshirë edhe amputime. Ndërhyrja e hershme bën një ndryshim të jashtëzakonshëm.”

Mësim përtej mureve të klasës

Më shumë se 60 studentë të mjekësisë dhe infermierisë u angazhuan si vullnetarë në fushatën e karvanëve për vitin 2025, duke fituar përvojë praktike në edukim dhe promovim shëndetësor, si dhe në punën me komunitetin, njëkohësisht duke mësuar si t’i udhëheqin dhe fuqizojnë qytetarët drejt zgjedhjeve më të shëndetshme.

“Ishte kënaqësi të mbështesim njerëzit që të fokusohen në aktivitetin fizik, ta lënë duhanin, ta shmangin alkoolin dhe të kryejnë kontrolle të rregullta shëndetësore,” tha Artesa, studente e infermierisë.

Për Albrimin, student i mjekësisë së përgjithshme, kjo përvojë ishte po aq domethënëse.

“Pjesëmarrja në aktivitete të tilla është një mundësi e paçmueshme për mua si student, jo vetëm për të zhvilluar aftësi praktike komunikimi me njerëzit, por edhe për të mësuar nga aktivitetet që realizojmë.

Çdo përvojë më jep një perspektivë të re që nuk do ta kisha fituar ndryshe, prandaj vullnetarizmi në karvan është kaq i rëndësishëm.”

Fuqizimi i kapaciteteve lokale për vazhdimësinë e aktiviteteve

I nisur nga projekti Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor (AQH), Karvani Shëndetësor sot zbatohet nga tri organizata lokale: Mundësia, Syri i Vizionit dhe KOPF, me mbështetje të vazhdueshme teknike nga projekti AQH.​

Ndër vite, projekti ka ngritur njohuritë dhe aftësitë në planifikim, koordinim, punë me komunitetin dhe menaxhim partneritetesh, të cilat tashmë janë bartur tek organizatat lokale që po e udhëheqin këtë iniciativë.

Sipas partnerëve zbatues, karvanët kanë fuqizuar bashkëpunimin me autoritetet komunale dhe institucionet lokale shëndetësore, duke rritur njëkohësisht besimin brenda komuniteteve.

“Këta karvanë jo vetëm që rrisin ndërgjegjësimin e popullatës për çështjet shëndetësore, por gjithashtu rrisin dukshmërinë dhe besueshmërinë e organizatës sonë. Ato ndihmojnë organizatën të ndërtojë marrëdhënie më të forta me partnerët lokalë, të dëshmojë përkushtimin ndaj mirëqenies së komunitetit dhe të krijojë besim tek qytetarët,” theksoi Klementina Kelmendi nga Syri i Vizionit, njëra nga organizatat që po e udhëheqin Karvanin Shëndetësor në rajonin e Dukagjinit.

KOPF, një tjetër organizatë e përfshirë në realizimin e aktiviteteve, thekson gjithashtu se karvanët fuqizojnë rolin e organizatave joqeveritare në promovimin e shëndetit publik.

“Si organizatë, i shohim karvanët shëndetësorë si shumë efektivë për të arritur drejtpërdrejt te komunitetet dhe për të ofruar shërbime aty ku nevoja është më e madhe,” theksoi KOPF.

“Ata mbështesin zbulimin e hershëm, forcojnë kujdesin parandalues shëndetësor, rrisin besimin në shërbimet shëndetësore dhe fuqizojnë rolin e shoqërisë civile në promovimin e shëndetit publik.”

Ndërsa projekti AQH po hyn në fazën e tij përfundimtare, ai po realizon analiza të kostimit të modelit të Karvanit Shëndetësor për të mbështetur një tranzicion më të lehtë dhe më të qëndrueshëm drejt institucioneve lokale dhe/ose kombëtare.

Karvani Shëndetësor “përSHËNDETje” po kontribuon në rritjen e ndërgjegjësimit dhe edukimin e qytetarëve, në fuqizimin e lidhjeve ndërmjet komuniteteve dhe institucioneve shëndetësore, në mbështetjen e angazhimit komunal në edukim dhe promovim shëndetësor, si dhe në zhvillimin profesional të profesionistëve të ardhshëm shëndetësorë.