Nëntë mjekë familjarë në Gjakovë nisën në fillim të nëntorit një program dyjavor trajnimi të specializuar në ultrasonografinë abdominale. Programi synon t’i përmirësojë shërbimet lokale të kujdesit shëndetësor duke mundësuar diagnostikimin dhe trajtimin më të hershëm të sëmundjeve abdominale.
Përmes këtij programi intensiv dhe të akredituar, mjekët po fitojnë përvojë praktike në diagnostikimin me ultrazë, që ua mundëson atyre t’i zbulojnë më shpejt problemet shëndetësore, duke reduktuar komplikimet dhe duke përmirësuar rezultatet e pacientëve në komunën e Gjakovës. Trajnimi është i harmonizuar edhe me Udhëzimin Administrativ për Kujdesin Parësor Shëndetësor nr. 04/2020 të Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës, si dhe me zhvillimin e vazhdueshëm profesional të mjekëve familjarë.
Pasi të përfundojë trajnimi, vlerësimet e rregullta do të matin ndikimin e vazhdueshëm të kësaj nisme në rezultatet shëndetësore të pacientëve dhe do të ofrojnë informacion për nevojat e ardhshme. Trajnimi, që është pjesë e projektit “Ngritja e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe përmirësimi i shëndetit të popullatës së Komunës së Gjakovës”, mbështetet nga projekti Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor (AQH).