“Tani mund ta menaxhoj më mirë shëndetin tim në shtëpi, pa pasur nevojë për një shoqërues ose për të organizuar transport vetëm për të matur shtypjen e gjakut ose sheqerin”, shpjegon Felona Feka, pjesëmarrëse nga Mitrovica në projektin “Pavarësia në Shëndetësi për Personat e Verbër”.
Felona është një nga 345 individët e verbër dhe me shikim të dëmtuar të cilët, së bashku me asistentët e tyre, morën pjesë në një seri trajnimesh që i ndihmuan ata të fitonin aftësitë për të monitoruar në mënyrë të pavarur sëmundjet kronike. Kjo iniciativë, e udhëhequr nga Shoqata e të Verbërve të Kosovës me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Projektit Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor (AQH), u realizua në kuadër të projektit “Pavarësia në Shëndetësi për Personat e Verbër” midis prillit dhe qershorit 2025.
Përmes pajisjeve të adaptuara me zë dhe trajnimit praktik, pjesëmarrësit mësuan të matin shtypjen e gjakut, të monitorojnë nivelet e glukozës dhe të krijojnë rutina më të shëndetshme. Kjo forcoi si aftësinë e tyre për të menaxhuar sëmundjet ashtu edhe pavarësinë e tyre në jetën e përditshme.
15 Trajnime në të gjithë Kosovën

Midis prillit dhe qershorit 2025, u organizuan 15 seanca trajnimi praktik në 14 komuna të Kosovës, me dy seanca që u zhvilluan në Prishtinë. Në total, rreth 345 persona u bashkuan me programin, 257 pjesëmarrës të verbër dhe me shikim të dëmtuar dhe 88 asistentë e anëtarë të familjes.
Trajnimi përfshinte njerëz nga prejardhje të ndryshme, duke përfshirë 166 gra dhe vajza dhe 178 burra dhe djem, dhe përfaqësonin komunitete të shumta etnike si romë, ashkali, turq, goranë, boshnjakë, kroatë dhe serb..
Menaxhim më i mirë i shëndetit
“Kjo iniciativë është shumë e rëndësishme sepse i fuqizon personat e verbër dhe me shikim të kufizuar që të kenë më shumë kontroll mbi shëndetin dhe jetën e tyre të përditshme. Trajnime të tilla jo vetëm që ofrojnë informacion, por edhe praktika konkrete që ndihmojnë në ndërtimin e pavarësisë”, shpjeguan nga Shoqata e të Verbërve të Kosovës.
Për pjesëmarrësit, ndikimi ishte i menjëhershëm. “Ky trajnim më ka ndihmuar shumë sepse më ofroi njohuri praktike dhe ma bëri më të lehtë kujdesin për shëndetin tim”, thotë Felona Feka nga Mitrovica. “Gjithashtu patëm mundësinë të përdorim pajisje zanore që e bëjnë menaxhimin e sëmundjeve kronike për ne, si persona të verbër, shumë më të lehtë, gjë që është jashtëzakonisht e dobishme”, shtoi Behxhet Gashi nga Prishtina.
Në të gjithë Kosovën, grupet e cenueshme vazhdojnë të përballen me pengesa për kujdes shëndetësor të barabartë, veçanërisht në aksesin në infrastrukturë, instrumente dhe në informim. Për t’iu përgjigjur kësaj sfide, Projekti AQH dhe Ministria e Shëndetësisë po punojnë drejt krijimit të një sistemi më të barabartë të kujdesit shëndetësor parësor. Përmes këtij bashkëpunimi, AQH ndihmoi në zhvillimin e infrastrukturës së çashme për personat me aftësi të kufizuara në Qendrat e Mjekësisë Familjare, ofroi trajnime të përshtatura mbi diabetin dhe hipertensionin për komunitetet e shurdhër, ata me vështirësi në dëgjim, të verbër dhe me shikim të dëmtuar. Gjithashtu, për herë të parë në Kosovë, krijoj fletëpalosje në Braille që shpjegojnë faktorët e rrezikut dhe trajtimet për sëmundjet kronike jo-ngjitëse (SKJ). Këto ndërhyrje i pajisin grupet e margjinalizuara me mjetet që u nevojiten për të menaxhuar shëndetin e tyre dhe për të ju qasur shërbimeve thelbësore në kushte të barabarta.
Për më tepër, Shoqata e të Verbërve të Kosovës, përmes këtij projekti, jo vetëm që rriti ndërgjegjësimin mbi stilet e jetesës së shëndetshme dhe menaxhimin e sëmundjeve, por gjithashtu u ofroi pjesëmarrësve mjete praktike për të zbatuar këto mësime..

Pavarësia arrihet kur njerëzit kanë njohuritë dhe burimet për t’u kujdesur për veten e tyre. Prandaj, këto punëtori u zhvilluan në bashkëpunim të ngushtë me ekspertë nga Shoqata e të Verbërve të Kosovës dhe u mbështet nga profesionistë të kujdesit shëndetësor, të cilët i udhëzuan pjesëmarrësit në kujdesin ndaj vetes dhe demonstruan se si të përdorin instrumentet e monitorimit të shëndetit në mënyrë të sigurt.
“Përdorimi i teknologjisë së adaptuar, siç janë pajisjet zanore, u lejon këtyre individëve të menaxhojnë vetë sëmundjet kronike, të tilla si diabeti ose tensioni i lartë i gjakut, pa qenë të varur nga të tjerët”, theksoi Shoqata e të Verbërve të Kosovës.
Infermierja Emine Prekaj Kuqi theksoi se teknologjia e adaptuar dhe trajnimi praktik janë ndër mënyrat më efektive për të përmirësuar rezultatet shëndetësore për personat e verbër:
“Praktikat më të mira për përmirësimin e shëndetit të personave të verbër janë trajnimi special dhe përdorimi i pajisjeve me qasje të përshtatur për ta. Gjatë trajnimit, çdo pjesëmarrës u sigurua që pajisjet ishin funksionale dhe që parametrat shëndetësorë lexoheshin me saktësi përmes zërit, për të garantuar përdorim të sigurt dhe të pavarur,” shpjegoi ajo.
Doktoresha Arbona Gashi nënvizoi rolin e zakoneve të jetesës në menaxhimin e sëmundjeve kronike:
“Është shumë e rëndësishme që individët e verbër të menaxhojnë sëmundjet kronike si tensioni i gjakut, diabeti ose të tjera, përmes një stili jetese të shëndetshëm që përfshin ushqyerje të ekuilibruar dhe aktivitet fizik”, vuri në dukje ajo.
Duke pajisur individët e verbër dhe me shikim të dëmtuar me aftësi konkrete shëndetësore, projekti “Pavarësia në Shëndetësi për të Verbrit” ka forcuar si vetë-menaxhimin e sëmundjeve kronike ashtu edhe përfshirjen në sistemin e kujdesit shëndetësor të Kosovës. Më shumë sesa një program trajnimi, ai shërben si një model se si iniciativat e synuara dhe gjithëpërfshirëse mund të mbyllin hendekun në kujdesin shëndetësor dhe të sigurojnë që askush të mos lihet pas dore.