Kosova zgjodhi ngjyrën rozë për të promovuar vetëdijësimin për kancerin e gjirit

Në tetor të vitit 2024, kryeqyteti i Kosovës u kthye në rozë si pjesë e një fushate të gjerë vetëdijësuese për kancerin e gjirit, të udhëhequr nga Ministria e Shëndetësisë. Ndërtesat ikonike publike, përfshirë ndërtesën e Qeverisë, Ministrinë e Shëndetësisë, Bibliotekën Kombëtare dhe Sahat Kullën e Prishtinës, u ndriçuan me ngjyrë rozë si shfaqje solidariteti dhe thirrje për veprim.

Pamjet ishin tërheqëse, por fokusi ishte tek edukimi. Stacionet radio-televizive anembanë Kosovës transmetuan materiale të ndryshme. Materiale informuese dhe vetëdijësuese, nga broshurat tek fjongot rozë e deri te stendat informuese, u shpërndanë në hapësira publike për të përhapur mesazhe dhe për të inkurajuar veprime parandaluese.

Qëllimet e fushatës ishin vetëdijësimi më i gjerë i publikut për kancerin e gjirit dhe rëndësinë e zbulimit të hershëm, rritja e pjesëmarrjes së publikut në aktivitetet e ekzaminimit dhe përfshirja aktive e komunitetit në ngjarje dhe aktivitete promovuese. Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha Bunjaku, u shpreh, ” Si institucione dhe si shoqëri, ne jemi të përkushtuar për ta vazhduar këtë betejë derisa çdo grua në Kosovë të ketë qasje të plotë, cilësore dhe pa pengesa në kujdesin shëndetësor. Ky është një premtim politik dhe një obligim moral ndaj çdo qytetari. Kanceri i gjirit është një sfidë që e përballojmë së bashku. Dhe së bashku, do ta fitojmë. Falenderojmë partnerët tonë, në këtë rast AQH të cilët na mbështesin në realizimin e synimeve tona”.

Gjatë gjithë muajit, çdo nismë përforcoi mesazhin se zbulimi i hershëm shpëton jetë. Krahas aktiviteteve të zhvilluara në nivel lokal në bashkëpunim me komunat, fushata arriti pikën kulminante me “Festën Rozë”. Ngjarja përmbyllëse e forcoi më tej mesazhin, duke angazhuar komunitetin dhe duke frymëzuar një zotim kolektiv për shëndetin. Qasja e Ministrisë së Shëndetësisë ishte e gjerë dhe e fokusuar, duke synuar audienca të ndryshme e duke theksuar një mesazh të veçantë: zbulimi i hershëm shpëton jetë.

Fushata 31 ditore u organizua me mbështetjen e projektit Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor (AQH), një nismë e përbashkët në mes të Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës, Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, që zbatohet nga Instituti Zviceran i Shëndetit Publik dhe Mjekësisë Tropikale.