KOSCO mbledhë së bashku ekspertët e shëndetësisë të Kosovës

Përfaqësues nga institucionet e kujdesit shëndetësor, komuniteti akademik dhe ekspertë të shëndetit publik u mblodhën më 4 nëntor 2025, për të ndarë njohuritë dhe zhvillimet kërkimore nga Studimi i Kohortës së Sëmundjeve Jo-gjitëse në Kosovë (KOSCO).

I zbatuar përmes Projektit Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor (AQH), në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHP), Universitetin e Prishtinës dhe Ministrinë e Shëndetësisë, KOSCO paraqet një arritje të rëndësishme në zhvillimin e kërkimit dhe të qasjeve të qëndrueshme, të bazuara në prova, për parandalimin dhe menaxhimin e sëmundjeve kronike jo Jo-ngjitëse (SKJ) në Kosovë.

Ngjarja u hap me fjalime nga Ministria e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Universiteti i Prishtinës, të cilët theksuan rëndësinë e kërkimit afatgjatë për të adresuar barrën në rritje të sëmundjeve kronike, duke vënë në dukje se studimi i KOSCO ofron të dhëna thelbësore për të udhëzuar politikat kombëtare dhe për të forcuar përgjigjen e vendit ndaj sëmundjeve kronike jo-ngjitëse.

KOSCO është bërë i mundur falë mbështetjes së vazhdueshme të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC). Në fjalimin e saj, Merita Stavileci, Zyrtare e Lartë e Programit në Ambasadën Zvicerane, theksoi rëndësinë e studimit, duke vënë në dukje se “KOSCO është bërë një burim i rëndësishëm për të kuptuar barrën e sëmundjeve kronike jo-ngjitëse në Kosovë. Secili prej këtyre hapave, nga financimi institucional, përfshirja akademike dhe zgjerimi në komuna të reja, deri te publikimet e vazhdueshme shkencore mbi këto të dhëna, na sjell më afër një studimi kohort të qëndrueshëm dhe të udhëhequr në nivel kombëtar.” Ajo gjithashtu theksoi se, si shumë vende, Kosova përballet me një barrë të lartë dhe në rritje të SKJ-ve, ndërsa të dhënat kombëtare mbi prevalencën e tyre, faktorët e rrezikut dhe efektivitetin e ndërhyrjeve mbeten të kufizuara. Për këtë arsye, ajo shtoi se, SDC iu përgjigj pozitivisht në vitin 2019 propozimit të Institutit Zviceran të Shëndetit Publik dhe Mjekësisë Tropikale (Swiss TPH) për të filluar këtë studim të rëndësishëm.

Takimi vazhdoi me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, i cili prezantoi “Raporti mbi Sëmundjet Kronike Jo-ngjitëse në Kosovë”, të prezantuar nga Prof. Ass. Sanije Hoxha.

Prof. Asoc. Dr. Naim Jerliu nga Universiteti i Prishtinës dhe IKSHPK theksoi se “ky bashkëpunim ka forcuar jo vetëm kapacitetet kërkimore, por edhe besueshmërinë e kërkimeve vendore”. Ai shtoi se KOSCO ka kontribuar drejtpërdrejt në kornizat kryesore të politikave, siç është Plani Kombëtar për Sëmundjet Jo-ngjitëse 2023–2025 dhe Plani i Veprimit për Kujdesin Parësor Shëndetësor 2024–2026. Ai shtoi më tej se “të dhënat e KOSCO-s përbëjnë një thesar të rrallë kombëtar për analizimin e trajektores shëndetësore të popullatës sonë, nga sjelljet e stilit të jetesës dhe faktorët socialë e mjedisorë, deri te ndryshimet në treguesit klinikë gjatë viteve”, duke vënë në dukje se studimi duhet të jetë pjesë strukturore dhe e qëndrueshme e kërkimeve kombëtare dhe infrastrukturës së shëndetit publik.

Ndërsa, Prof. Nicole Probst-Hensch nga Instituti Zviceran për Shëndet Publik dhe Mjekësi Tropikale (Swiss TPH) foli për mënyrën se si shëndeti mendor lidhet me sëmundje kronike si hipertensioni dhe diabeti, duke theksuar ndërlidhjen shëndetit mendor dhe treguesve shëndetësorë parandalues.

Dr. Ariana Bytyci Katanolli nga Projekti AQH/IKSHPK prezantoi “KOSCO përgjatë viteve”, duke përmbledhur rrugëtimin e studimit, pikat kulmore dhe kontributet në forcimin e kërkimeve në Kosovë.

Në vazhdim, mbikëqyrësit nga Universiteti i Prishtinës prezantuan konceptet e tezave të doktoraturës dhe masterit të zhvilluara përmes të dhënave të KOSCO-s dhe përdorimit të tyre. Prof. Asoc. Dr. Valbona Beqaj Zhjeqi nga IKSHPK dhe Universiteti i Prishtinës prezantuan konceptin e tezës së doktoraturës mbi efektet e këshillimit motivues tek pacientët me hipertension. Prof. Asst. Dr. Ardita Byci Jakupi nga Universiteti i Prishtinës diskutoi përdorimin e të dhënave të KOSCO-s për të shqyrtuar marrëdhënien midis planifikimit urban dhe plakjes së shëndetshme, ndërsa Prof. Asst. Dr. Aida Loshaj Shala nga Universiteti i Prishtinës prezantoi integrimin e farmakovigjilencës në KOSCO, duke analizuar korrelacionet midis efekteve anësore të ilaçeve dhe ndërveprimeve të barnave të shumëfishta.

Si studimi i parë dhe i vetëm afatgjatë i kohortës mbi sëmundjet kronike jo-ngjitëse në Kosovë, KOSCO vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në formësimin e politikave kombëtare shëndetësore, zhvillimin e kërkimit akademik dhe informimin e strategjive efektive parandaluese. Realizimi i një studimi të tillë të kohortës është thelbësor për të kuptuar modelet shëndetësore afatgjata dhe për të udhëhequr vendimmarrjen e bazuar në prova, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një infrastrukture kërkimore të qëndrueshme, në pronësi kombëtare, që do t’u shërbejë brezave që do të vijnë.