Konferenca Ndërkombëtare e Mjekësisë Familjare, edicioni i 9-të

Më 14-15 maj 2025, Asociacioni i Mjekëve Familjarë të Kosovës mbajti Konferencën e IX Ndërkombëtare të Mjekësisë Familjare, duke mbledhur së bashku mbi 250 pjesëmarrës nga e mbarë Kosova. Me temën mbizotëruese “Mjekësia Familjare: Sfidat dhe Inovacionet”, konferenca shërbeu si platformë për të diskutuar zhvillimin Mjekësisë Familjare në Kosovë.

Kjo ngjarje dy-ditore mblodhi rreth 50 ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët shkëmbyen njohuritë e tyre mbi një gamë të gjerë problematikash në kujdesin primar shëndetësor. Ndër folësit e shquar ishte Dr. Richard Vautrey, President i Kolegjit Mbretëror të Mjekëve të Përgjithshëm (RCGP), i cili mbajti një fjalim mbi të ardhmen e mjekësisë familjare. Ndërsa, profesor Johnny Lyon-Maris, prezantoi përdorimin e inteligjencës artificiale në mjekësinë familjare në Mbretërinë e Bashkuar, duke ofruar një perspektivë mbi transformimin dixhital në kujdesin shëndetësor.

Sesionet e konferencës trajtuan një mori temash të ndryshme aktuale dhe kritike, duke përfshirë menaxhimin e sëmundjeve kronike, inovacionet dhe sfidat e vazhdueshme në kujdesin primar shëndetësor, si dhe mësimet e nxjerra nga pandemia COVID-19, veçanërisht integrimin e video-konsultimeve në praktikën e rregullt. Prezantimet përfshinin gjithashtu gjetjet nga studimi KOSCO, shërbimet ndaj adoleshentëve, shëndetin seksual, kujdesin emergjent dhe qasjet parandaluese të përqendruara në ushqyerje dhe aktivitet fizik. Rëndësia e kënaqëshmërisë së pacientëve në përmirësimin e cilësisë dhe qasjes në kujdesin primar shëndetësor ishte gjithashtu një temë e përsëritur gjatë gjithë konferencës.

Përveç kësaj, një punëtoria e dedikuar shqyrtoi procesin e vazhdueshëm të përzgjedhjes së një mjeku familjar në Kosovë. Sesioni u përqendrua në vlerësimin nëse mjekët familjarë janë të përgatitur për këtë tranzicion dhe për identifikimin e hapave të nevojshëm për të informuar dhe edukuar më mirë qytetarët rreth procesit të regjistrimit.

Tani në edicionin e saj të nëntë, konferenca vazhdon të jetë platformë kombëtare për avokim, shkëmbim të njohurive dhe mësim të praktikave të reja në mjekësinë familjare.

Kjo konferencë, mes donatorëve tjerë, u mbështet nga Projekti i Kujdesit Shëndetësor të Qasshëm dhe Cilësor (AQH), i cili është themeluar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe zbatohet nga TPH Zvicerane. Bashkëpunimi ynë i vazhdueshëm me Asociacionit të Mjekëve Familjarë të Kosovës thekson angazhimin tonë të përbashkët për të avancuar kujdesin shëndetësor të integruar dhe të përqendruar tek njerëzit, si dhe për të përforcuar rolin jetësor të mjekësisë familjare në Kosovë.