Përfaqësues nga 25 komuna në të gjithë Kosovën u takuan më 2 tetor 2025 me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Projektin AQH për të diskutuar prioritetet e kujdesit shëndetësor për vitin e ardhshëm. Punëtoria, e cila mblodhi 43 pjesëmarrës, u përqendrua në harmonizimin e planeve komunale me Planin Vjetor të AQH-së 2026, veçanërisht në trajtimin e sëmundjeve kronike jongjitëse (SKJ).
Gjatë diskutimeve, komunat prezantuan iniciativat e tyre aktuale, përshkruan planet e tyre për vitin 2026 dhe eksploruan mënyra për t’i harmonizuar ato me qasjen e AQH-së. Tani duke qenë në fazën e fundit të projektit, AQH-ja po zbaton një model të bazuar nga kërkesa (On Demand), ku komunat marrin rol aktiv dhe udhëheqin ndërhyrjet e prezantuara në fazat e mëparshme të projektit. Kjo qasje tregon gatishmërinë e tyre për të marrë plotësisht në dorë dhe për të vazhduar iniciativat e projektit, duke siguruar që ndërhyrjet të mbeten të qëndrueshme, të qasshme dhe me përfitim për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Pjesëmarrësit theksuan se mbështetja e AQH-së ka forcuar koordinimin, ka përmirësuar planifikimin dhe i ka pajisur komunat me mjetet e nevojshme për t’i shërbyer më mirë komuniteteve të tyre..
Afrim Krasniqi, Drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Malishevë, vuri në pah vlerën e kësaj punëtorie për koordinimin në nivel kombëtar: “Takimi i sotëm është shumë i dobishëm, pasi jemi në procesin e planifikimit të aktiviteteve të vitit të ardhshëm. Këtu mund të koordinohemi me AQH-në, por edhe me komunat e tjera, duke e bërë planifikimin më të suksesshëm dhe duke siguruar që qytetarët të përfitojnë më së shumti.”
Ndërkohë, Naile Gjaka, Drejtoreshë e QKMF-së në Vushtrri, shtoi: “Vushtrria ka qenë pjesë e komunave të mbështetura nga AQH që nga faza e parë e projektit, dhe tani jemi në fazën përfundimtare të integrimit të këtyre iniciativave në strukturat tona lokale. Punëtoria e sotme është ndër më të rëndësishmet në udhëzimin për hapat tanë të ardhshëm.”
Punëtoria riafirmoi rëndësinë e harmonizimit të prioriteteve shëndetësore kombëtare dhe lokale për të forcuar shërbimet e kujdesit shëndetësor dhe për të rritur mirëqenien e komunitetit në të gjithë Kosovën.