Karvani i Shëndetit “perSHENDETje” nis ushëtimin nëpër Kosovë

Këtë shtator, karvani shëndetësor “përSHËNDETje” i mbështetur nga AQH nisi udhëtimin, duke përkuar nga fshatrat në qendrat e qyteteve në të gjithë Kosovën për t’u sjellë informacion dhe shërbime shëndetësore drejtpërdrejt qytetarëve. Me tendat e tij të ndritshme, vullnetarët që buzëqeshin dhe një ekip mjekësh të gatshëm për të mirëpritur kalimtarët, karvani u bë një urë lidhëse midis qytetarëve dhe kujdesit shëndetësor parandalues.

Por, përtej organizimit të tij të dinamik, karvani kryen një mision serioz: rritjen e ndërgjegjësimit rreth sëmundjeve kronike jo-ngjitëse (SNJ) siç janë: diabeti, hipertensioni dhe astma, sëmundje të heshtura që mbeten disa ndër shkaqet kryesore të sëmundjeve në Kosovë. Duke udhëtuar drejtpërdrejt në komunitete, karvani ul barrierat e kostos, distancës dhe ndërgjegjësimit, duke i inkurajuar njerëzit të ndërmarrin hapa të vegjël parandalues ​​drejt një jetesë më të shëndetshme.

Gjatë këtij muajit, karvani ndaloi në Pejë, Klinë, Istog, Fushë Kosova, Obiliq, Kaçanik, Prishtinë, Malishevë, Gjilan, Gjakovë, Rahovec dhe Han të Elezit. Në çdo ndalesë, qytetarët matën shtypjen e gjakut, sheqerin në gjak dhe Indeksin e Masës Trupore, biseduan me profesionistë të shëndetit dhe morën këshilla praktike mbi aktivitetin fizik dhe shprehitë e shëndetshme.

Vetëm brenda pak javësh, karvani ofroi shërbime për më shumë se 1,900 persona, nga fëmijë kuriozë deri tek qytetarë të moshuar të cilët ishin mirënjohës për mundësinë e ofruar për të kontrolluar shëndetin e tyre pa udhëtuar larg.

Rrëfime nga Rruga

Për shumëkënd, karvani ofroi një mundësi për të kuptuar rëndësinë e shëndetit dhe kujdesit për të.

Gjatë kontrollit, kur sheqeri në gjak më doli përsëri 10.9, kuptova se diçka nuk shkonte. Pa karvanin, do ta kisha injoruar. Tani do të shkoj te mjeku më shpesh”, tha Fatlind Kelmendi, 23 vjeç, nga Peja.

Të tjerët thjesht e vlerësuan mundësinë për të marrë këshilla në një mjedis mikpritës, ndërsa partnerët vendas vunë re se njerëzit ndiheshin më rehat në tendat e karavanëve:

Karvanët shëndetësorë janë një urë e drejtpërdrejtë midis shërbimeve mjekësore dhe qytetarëve. Kjo mënyrë inovative e ofrimit të shërbimeve parandaluese po pritet shumë mirë nga qytetarët. Shumë qytetarë shprehen se në këto tenda ndihem i lirë, pa frikë se do të kontrollohem nga mjeku”, vuri në dukje KOPF, organizata që implementon karvanin në rajonet e Prishtinës dhe Ferizajit. Ndërkohe, Syri i Vizionit, i cili po implementon karvanin në rajonet e Pejës dhe të Prizrenit, shtoi se “Këto iniciativa janë veçanërisht të vlefshme për njerëzit që hezitojnë ose nuk kanë mundësi të shkojnë te mjeku, si dhe për ata që nuk kanë informacion bazë në lidhje me rëndësinë e aktivitetit fizik ose pasojat e përdorimit të alkoolit dhe duhanit.”

Për më tepër, OJQ Mundësia, e cila po zbaton karvanin në rajonet e Pejës, Gjakovës dhe Gjilanit, vuri në dukje se “…përmes aktiviteteve të tilla si karvanët e shëndetit, ne kemi mundësinë të rrisim ndërgjegjësimin publik mbi rëndësinë e ruajtjes së shëndetit të dikujt.”

Karvanët u bënë gjithashtu një vend trajnimi për gjeneratën e ardhshme të profesionistëve të shëndetësisë. Rreth 60 mjekë të rinj dhe studentë të mjekësisë ishin të përfshirë si vullnetarë, duke mbështetur qytetarët ndërkohë që fituan përvojë të vlefshme praktike.

Pjesëmarrja në aktivitete të tilla është një mundësi  shumë e çmuar për mua si student, jo vetëm për të zhvilluar aftësi praktike komunikimi me njerëzit, por edhe për të mësuar nga aktivitetet që zhvillojmë. Çdo përvojë më jep një perspektivë të re që nuk do ta kisha fituar ndryshe, prandaj vullnetarizmi në karvan është kaq i rëndësishëm”, tha Albrim Rudi, student i vitit të gjashtë të mjekësisë së përgjithshme.

Suksesi i karvaneve është gjithashtu falë mbështetejes dhe bashkëpunimit me Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në secilën komunë.

Sot zhvilluam një karvan që synonte promovimin e shëndetit…Pasqyrimi pozitiv i karvanit bën po ashtu pjese në objektiva të QKMF-së siç janë parandalimi i sëmundjeve dhe edukimi shëndetësor i qytetarëve“, vuri në dukje Afrim Krasniqi, Drejtor i QKMF-së në Malishevë.

Udhëtim i karvanëve

Karvani filloi punën për herë të parë në Kosovë në vitin 2019, që atëherë janë organizuar gjithësej 117 karvanë në të gjithë Kosovën. Aktivitetet e edukimit shëndetësor dhe promovimit të shëndetit gjatë viteve kanë arritur të kenë pjesëmarrje te mbi 30,000 qytetarëve, nga të cilët mbi 17,000 ishin gra, 12,000 ishin burra dhe 7,800 pjesë e komuniteteve etnike jo-shumicë.

Karvanët e këtij viti po implementohen nga tri organizata: Syri i Vizionit, KOPF dhe Mundësia, në bashkëpunim me QKMF-të komunale dhe me mbështetjen e AQH-së.