Si pjesë e punës sonë të vazhdueshme për zbatimin e pakove të shërbimit, është krijuar një Grup Punues për të mbikëqyrur komponentët e ndryshëm të punës. Ky Grup Punues (GP) përbëhet nga ekspertë vendor që vazhdimisht do të përfshihen gjatë zbatimit të pakove të shërbimit dhe do t’i japin informata kthyese relevante profesionale projektit AQH, duke u bazuar në kontekstin e Kosovës dhe qëndrueshmërinë e procesit.
Punëtoria e parë me Grupin Punues u mbajt nga data 12-13 korrik 2017 në Prevalle, ku u krijuan 4 grupe ekspertësh që do të punojnë në tema specifike: 1) Trajnimi i Edukatorëve Shëndetësor; 2) Trajnimi për Diabetin dhe Hipertensionin; 3) Pasaportat dhe regjistrat e pacientëve; 4) Materialet Informuese për Pacientin. Gjithashtu, gjatë punëtorisë në Prevalle, anëtarët punonin në grupe për të përzgjedhur materialet ekzistuese dhe mjetet për tema të veçanta (p.sh. pasaportat, regjistrat, materialet e trajnimit etj.) për përshtatje të mëtejshme nga grupet e ekspertëve. Është planifikuar që 4 grupet e ekspertëve të takohen në javët e ardhshme për të filluar me përpunimin e materialeve dhe mjeteve të nevojshme për zbatimin e pakove të shërbimit.