Më 8 nëntor 2024, Komisioni Këshillimor Zviceran për Bashkëpunim Ndërkombëtar u takua me profesionistë të sektorit shëndetësor në Lipjan, Kosovë. Qëllimi i vizitës ishte rishikimi i bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të kujdesit shëndetësor dhe projektit të Kujdesit Shëndetësor të Qasshëm dhe Cilësor (AQH), qëllimi i të cilit është përmirësimi i kujdesit parësor shëndetësor në vend.
Gjatë vizitës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Lipjan, që gjithashtu është vend demonstrimi i projektit AQH, delegacioni u fokusua në rolin tetëvjeçar të projektit në përmirësimin e shërbimeve për pacientët me sëmundje kronike jongjitëse, promovimin e planifikimit të bazuar në dëshmi, zbatimin e praktikave të menaxhimit të cilësisë dhe krijimin e mekanizmave të komenteve kthyese për pacientë.
Prezantimet gjatë vizitës theksuan rëndësinë e komunikimit efektiv dhe edukimit shëndetësor në fuqizimin e pacientëve për t’u angazhuar me kujdesin për veten e tyre. Diskutimet trajtuan gjithashtu sfidat rreth besueshmërisë dhe disponueshmërisë së të dhënave, duke u fokusuar në gjetjet e fundit analitike dhe ndikimin e studimit grupor të projektit në politikat kombëtare dhe monitorimin lokal të kujdesit shëndetësor.
Vizita përfundoi me një tur me ciceron në QKMF, ku delegacioni zviceran u njoftua me Qendrën Burimore Shëndetësore dhe u takua me përfaqësues të Këshillit lokal të Pacientëve.