Për herë të parë në Kosovë u shënua Dita Botërore e Mjekut Familjar, për ta vlerësuar rolin qëndror të ekipeve të kujdesit parësor në ofrimin e kujdesit shëndetësor gjithpërfshirës dhe të vazhdueshëm për të gjithë qytetarët. Me përkrahje të Projektit AQH, Ministria e Shëndetësisë organizoi takim me përfaqësuesit e Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare, Odës së Mjekëve të Kosovës dhe me mjekë familjarë. Gjatë këtij takimi u theksua kontributi i mjekëve familjarë në forcimin e sistemeve shëndetësore dhe u kujtuan të gjithë mjekët që humbën jetën gjatë përballjes me pandeminë COVID-19.
Me këtë rast, Arsim Berisha, Zëvendësministër i Shëndetësisë, tha se Dita Botërore e Mjekut Familjar është ditë e veçantë për të njohur edhe më shumë rolin e rëndësishëm të Mjekut Familjar në ofrimin e kujdesit shëndetësor gjithpërfshirës dhe të vazhdueshëm për të gjithë pacientët.
“Gjatë këtij viti po bëhen 21 vite që nga fillimi i konceptit të Mjekësisë Familjare në Kosovë, koncept ky që e ka ofruar shërbimin shëndetësor të mjekut familjar më afër qytetarit tonë, por njëkohësisht ka dëshmuar edhe vlerat që ka mjekësia familjare si shërbim i linjës së parë në kujdesin shëndetësor”, tha Berisha gjatë takimit.
Zëvendës udhëheqja e Projektit AQH, Qamile Ramadani theksoi kontributin e projektit të financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, të implementuar nga Instituti ‘Swiss TPH’ dhënë Kujdesit Parësor Shëndetësor në Kosovë. Ajo tha se ekipi i Projektit AQH është i përkushtuar që t’i ndihmojë ofruesit e kujdesit parësor shëndetësor ta implementojnë në mënyrën më të mirë të mundshme konceptin e Mjekësisë Familjare.
Dita Botërore e Mjekut Familjar u shpall për herë të parë nga WONCA në vitin 2010 dhe tema e sivjetme është ‘Ndërtimi i së ardhmes me mjekët familjarë’. Në përputhje me temën, Projekti AQH, po ashtu në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë e ka lansuar edhe një video-fushatë televizive.