Gjatë dy muajve të fundit, pesë vizita shkëmbimore kanë bashkuar profesionistë të kujdesit shëndetësor nga e gjithë Kosova me qëllim që të mësojnë nga njëri-tjetri, të ndajnë praktika inovative, ta thellojnë bashkëpunimin dhe ta përmirësojnë cilësinë e shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor.
Të organizuara në Lipjan dhe Gjakovë, të dyja lokacione demonstruese në Kujdesin Shëndetësor Parësor (KSHP) dhe të mbështetura nga projekti Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor (AQH), vizitat përfshinë profesionistë nga më shumë se 12 komuna. Çdo vizitë u përqendrua në rolin dhe funksionin e Sallave të Edukimit dhe Promovimit Shëndetësor, të njohura si Qendra të Burimeve Shëndetësore (QBSH), në kuadër të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), veçanërisht në mbështetjen e pacientëve me sëmundje kronike jongjitëse (SKJ) si hipertensioni dhe diabeti. Vizitat u zhvilluan edhe në Gadime, një fshat në komunën e Lipjanit, duke treguar se si edhe Qendrat e Mjekësisë Familjare (QMF) mund t’i përfshijnë me sukses QBSH-të, duke frymëzuar iniciativa të ngjashme në strukturat e tjera rurale dhe të decentralizuara të KSHP-së.
Këto shkëmbime u dhanë mjekëve familjarë, infermierëve, koordinatorëve të cilësisë dhe drejtorëve të shëndetësisë mundësinë për të parë nga afër se si po zbatohen qasjet e reja, të përqendruara te pacienti, dhe për t’i ndarë përvojat e tyre në këmbim.
Në Gjakovë, një nga komunat organizuese, ekipi prezantoi se si shërbimet e tyre këshillimore përmes QBSH-ve po i ndihmojnë pacientët të kujdesen më mirë për shëndetin e tyre.
“Këto vizita janë shumë të rëndësishme për ne si një lokacion demonstrues”, tha Violeta Xerxa Thaqi, profesioniste e kujdesit shëndetësor nga Gjakova. “Ne ishim në gjendje ta tregonim progresin që kemi arritur dhe se si i përfshijmë më shumë pacientët në menaxhimin e gjendjes së tyre. Në të njëjtën kohë, përfituam shumë nga komentet kthyese dhe idetë e kolegëve tanë.”
Vizitat krijuan hapësirë për diskutime të hapura rreth asaj që funksionon e çfarë jo dhe si komuna të ndryshme po përballen me sfida të ngjashme.
Dr. Rushiti Ismaili nga QKMF në Prishtinë theksoi se sa e vlefshme është të shihen gjërat nga afër. “Ne lexojmë raporte, sigurisht,” tha ai, “por në këtë kohë dinamike ku gjithçka po ndodh njëkohësisht, është e vështirë t’i përvetësosh vërtet detajet. Është një ndjenjë krejtësisht ndryshe kur viziton një qendër, sheh se si janë rregulluar gjërat, krahason me institucionin tënd dhe flet drejtpërdrejt me njerëzit që qëndrojnë pas punës.” Ai shtoi se edhe kur mendimet dallojnë nga njër-tjetri, këto shkëmbime i ndihmojnë profesionistët të kuptojnë se si të tjerët po zgjidhin sfida të ngjashme.
Vizitat shkëmbimore ngjallën gjithashtu interes për bashkëpunime të ardhshme. Disa komuna shprehën entuziazëm për organizimin e vizitave reciproke dhe mësimin nga modelet e njëra-tjetrës. Pjesëmarrësit sugjeruan ta vizitonin Gjilanin për të mësuar më shumë rreth asaj se si një infermiere-nutricioniste atje po udhëheq këshillimin dietik për pacientët. Ekipi i Ferizajt ndau përvojën e tyre me kujdesin për këmbët diabetike, një model që tërhoqi vëmendje të konsiderueshme dhe mund të frymëzojë sesione të ardhshme mësimore. Ndërkohë, në Gjakovë, diskutimet rreth “këndit të rehidratimit” të Prizrenit çuan në ide të reja për përmirësimin e cilësisë së kujdesit për të gjithë pacientët.
Gjatë këtyre vizitave në lokacione dhe momenteve të vlefshme të të mësuarit të përbashkët, pjesëmarrësit shkëmbyen ide se si t’i përmirësojnë shërbimet dhe të kontribuojnë në ndërtimin e një sistemi të kujdesit shëndetësor parësor më të fortë dhe më të përgjegjshëm në të gjithë Kosovën.
*Deri më sot, projekti AQH, në kuadër të procesit të shkallëzimit (scale up), i koordinuar nga Ministria e Shëndetësisë, ka mbështetur themelimin e 37 Sallave të Edukimit dhe Promovimit Shëndetësor në 27 komuna, duke përfshirë Vushtrrinë, Lipjanin, Rahovecin, Mitrovicën, Drenasin, Klinën, Kamenicën, Skenderajn, Fushë Kosovën, Gjakovën, Prishtinën, Gjilanin, Ferizajn, Vitinë, Hanin e Elezit, Kaçanikun, Suharekën, Prizrenin, Istogun, Pejën, Deçanin, Junikun, Malishevën, Obiliqin, Ranillugun dhe Graçanicën. Këto salla janë të vendosura kryesisht në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare, dhe në disa komuna, edhe në Qendrat e Mjekësisë Familjare në fshatra më të mëdhenj. Procesi i shkallëzimit vazhdon në të gjitha komunat, duke përfshirë zgjerimin brenda komunave, duke u shtrirë përtej QKMF-së në Qendra shtesë të Mjekësisë Familjare.