Roli i Këshillave të Pacientëve në Sistemin Shëndetësor të Kosovës

Më 14 prill 2025, projekti “Kujdes Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor  (AQH) organizoi një punëtori njëditore që mblodhi së bashku akterët kyç nga niveli kombëtar dhe lokal në mbarë Kosovën. Gjatë punëtorisë u prezantuan gjetjet nga vlerësimi i gjashtë Këshillave të Pacientëve (KP) në Rahovec, Lipjan, Mitrovicë, Obiliq, Viti dhe Drenas – komuna këto ku këshillat janë aktive për më shumë se një vit. Deri më tani janë themeluar nëntë KP, ndërsa dy të tjera janë në fazën fillestare. Gjatë punëtorisë u theksuan edhe rrugët ligjore për fuqizimin e mëtejmë të rolit të KP-ve në sistemin shëndetësor të Kosovës.

Këshillat e Pacientëve luajnë një rol kyç në mbështetjen e pacientëve dhe krijimin e lidhjes mes komunitetit dhe ofruesve të shërbimeve shëndetësore, duke ndihmuar në adresimin e ankesave, rritjen e vetëdijes për çështjet shëndetësore, avokimin për grupet e margjinalizuara dhe bashkëpunimin me institucionet lokale.

Nën udhëheqjen e ekspertëve z. Dardan Kryeziu dhe z. Artan Murati, ky aktivitet mundësoi një dialog të hapur mbi mënyrat e institucionalizimit dhe qëndrueshmërisë së punës së Këshillave të Pacientëve, përfshirë edhe mundësinë e krijimit të një kornize ligjore formale. Të pranishëm ishin përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë, drejtorë komunalë të shëndetësisë dhe mirëqenies sociale, drejtorë të qendrave kryesore të mjekësisë familjare, një përfaqësues i KP nga secila prej gjashtë komunave të përfshira në vlerësim, si dhe përfaqësues nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve të Kosovës (PRAK), Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS) dhe AQH-ja.

Diskutimet theksuan rëndësinë e mekanizmave të bazuar në komunitet që sigurojnë që zëri i pacientëve të dëgjohet dhe të pasqyrohet në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore.

Disa nga informacionet kyçe të raportit janë:

Gjendja aktuale e Këshillave të Pacientëve në Kosovë

  • Këshillat e Pacientëve janë themeluar në 9 komuna (Rahovec, Lipjan, Mitrovicë, Obiliq, Viti, Drenas, Prizren, Ferizaj dhe Kaçanik) me mbështetje nga PRAK dhe AQH. 2 të tjera janë në fazën e fillestare. 
  • Këshillat luajnë rol kyç në përfaqësimin e zërit të pacientëve, adresimin e ankesave, promovimin e transparencës në kujdesin shëndetësor dhe ngritjen e vetëdijes.
  • KP-të në Kosovë nuk gëzojnë njohje të formale ligjore dhe funksionojnë pa një kornizë të dedikuar ligjore.
  • Ata funksionojnë përmes angazhimeve vullnetare, dhe bashkëpunimit ad-hoc me institucionet shëndetësore.
  • Ata funksionojnë me autoritet të kufizuar dhe struktura jo konsistente, shpesh të varura nga vullneti i Qendrave të Kujdesit Parësor (QKP) dhe komunave.
  • AQH dhe PRAK kanë bërë përpjekje për ngritjen e kapaciteteve për të fuqizuar shkathtësitë anëtarëve për të drejtat e pacientëve, trajtimin e ankesave dhe avokimin publik.
  • Disa KP kanë fituar të drejtë vote në Bordet Drejtuese të QKP-ve (p.sh. Rahovec, Mitrovicë, Drenas), ndërsa të tjerat marrin pjesë si vëzhguese. 
  • Ndërgjegjësimi publik është duke u rritur ngadalë, dhe ende shumë qytetarë nuk janë të informuar për ekzistencën dhe rolin e këshillave.
  • Janë bërë përpjekje për të përfshirë popullatat e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuara banorët në zona rurale, gratë, fëmijët dhe të moshuarit – veçanërisht në Rahovec, Obiliq, Lipjan dhe Drenas.

     

Sfidat e identifikuara

  • Mungesa e njohjes ligjore formale, që kufizon autoritetin dhe qëndrueshmërinë.
  • Mungesa e financimit të qëndrueshëm; këshillat funksionojnë në mënyrë vullnetare.
  • Ndërgjegjësimi dhe përfshirja e ulët e publikut.
  • Vështirësitë në mbajtjen e anëtarëve për shkak të mungesës së stimujve dhe mbështetjes formale.
  • Varësia nga vullneti i komunave dhe udhëheqësisë së QKP.
  • Mungesa e një strategjie kombëtare për qëndrueshmëri dhe standardizim afatgjatë.

     

Çfarë duhet të bëhet?

  • Të miratohet një rregullore në nivel kombëtar për të njohur ligjërisht Këshillat e Pacientëve, duke përcaktuar rolin e tyre dhe integrimin në qendrat e kujdesit shëndetësor 
  • Të sigurohet financim i qëndrueshëm përmes një modeli hibrid që kombinon buxhetin publik dhe donatorët 
  • Të krijohen procedura të unifikuara për trajtimin e ankesave, duke zhvilluar udhëzues të standardizuar që Këshillat e Pacientëve të monitorojnë dhe adresojnë ankesat e pacientëve brenda Sistemit të Menaxhimit të Cilësisë. 
  • Të rritet ndërgjegjësimi publik për rolin e Këshillave të Pacientëve. 
  • Të fuqizohet roli i Këshillave të Pacientëve  në qeverisjen shëndetësore duke siguruar përfaqësimin e tyre me të drejtë vote në Bordet e QKMF-ve duke sqaruar rolin e tyre këshillëdhënës në vendimmarrjen shëndetësore. 

Punëtoria ishte një hap i rëndësishëm drejt hapjes së diskutimeve për integrimin formal të Këshillave të Pacientëve në sistemin shëndetësor të Kosovës. Në vazhdim, është thelbësore që Këshillat e Pacientëve të mbështeten në mënyrë që të vazhdojnë të përfaqësojnë komunitetet dhe të përmirësojnë kujdesin shëndetësor për të gjithë.