Si pjesë e aktivitetit të projektit për mbështetjen e zbatimit të pakos së shërbimeve në 4 pilot komunat (Gjakovë, Mitrovicë, Vushtrri dhe Malishevë) u mbajt punëtoria me pjesëmarrje në Qendrën për Zhvillimin e Mjekësisë Familjare (QZhMF) për të rishikuar projekt modelin e pakos së shërbimeve dhe për të shqyrtuar se si të përfshihet edukimi dhe promovimi shëndetësor si pjesë e zbatimit të pakos së shërbimeve. Pjesëmarrës në punëtori ishin: Drejtorët e Departamentit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (DShMS) dhe Drejtorët e Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) nga 4 komunat e Pakos së Shërbimeve, përfaqësues nga QZhMF, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHP), Qendra për Edukimin e Vazhdueshëm Infermierik (QEVI) dhe Grupi i Ekspertëve Teknik (GET).
Gjatë punëtorisë pjesëmarrësit diskutuan çështje të tilla si: cili do të jetë roli i edukatorëve shëndetësor në nivelin e institucionit, kush do të jenë edukatorët shëndetësorë dhe cilat institucione duhet ta prezantojnë këtë rol të ri. Gjithashtu gjatë punëtorisë u diskutuan çështje të caktuara për zbatimin e pakove të shërbimeve: Regjistrat, Pasaportat e Pacientëve, Dokumentacioni, Strategjia e Komunikimit, Informimi i Opinionit, Referimi, Afatet kohore, Vlerësimi dhe Monitorimi etj.
Në punëtori u ra dakord që të fillohet me zbatimin e rolit të edukatorit shëndetësor në 4 QKMF-të dhe se kjo do të zhvillohet si pjesë e rolit të infermierisë.
Do të themelohet një Grup Punues për të udhëhequr këto aktivitete dhe do të krijohet një numër i grupeve më të vogla punuese për të zhvilluar materiale dhe mjete të ndryshme të nevojshme për zbatimin e pakove të shërbimeve.