Konferenca, e organizuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHP), në bashkëpunim me Asociacionin Kosovar për Promovim dhe Edukim Shëndetësor, u mbajt nga data 26 deri më 28 Tetor 2017. Në konferencë morën pjesë përfaqësuesit e Instituteve të Shëndetit Publik nga Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia, si dhe stafi i Institutit Publik Shendetësor nga e tërë Kosova.
Agenda: Konferenca e II-të Rajonale për Edukim dhe Promovim Shëndetësor
Në ditën e hapjes së konferencës, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik lansoi dhe iu ofroi pjesëmarrësve kopje të dy dokumenteve që ishin përgatitur me mbështetjen e projektit AQH: ‘Standardet dhe udhëzuesit për përpilimin e materialeve për edukim shëndetësor’ dhe ‘Udhëzues për OJQ mbi standardet për përpilimin e materialeve për edukim shëndetësor’.
‘Standardet dhe udhëzuesit për përpilimin e materialeve për edukim shëndetësor’ – ky dokument përshkruan standardet që kërkohen nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në mënyrë që të gjitha materialet e edukimit shëndetësor të jenë të cilësisë së mirë. Gjithashtu përshkruan procesin që do ta ndjek Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik për të siguruar që të gjitha materialet i përmbushin standardet e nevojshme të cilësisë.
‘Udhëzues për OJQ mbi standardet për përpilimin e materialeve për edukim shëndetësor’ – ky dokument ofron udhëzime për OJQ-të dhe organizatat tjera që mund të përfshihen në ofrimin e edukimit shëndetësor mbi atë se si ata mund të përpilojnë materiale cilësore që i plotësojnë standardet kombëtare.