Krijimi i fletë-notimit të komunitetit për komunën e Lipjanit

Më 2 Tetor 2017, Paula Valentine, një eksperte ndërkombëtare nga Save the Children, ligjëroi  punëtorinë një ditore në Hotel International Prishtina me përfaqësuesit nga organizata të ndryshme në komunën e Lipjanit. Punëtoria ka pasur për qëllim prezantimin e “Fletë-notimeve të Komunitetit” (FNK-ve) tek pjesëmarrësit dhe të diskutohej me ata nëse kanë qenë apo jo të interesuar në krijimin e FNK-ve për përdorim në komunën e tyre. Pjesëmarrësit përfshinin menaxherët e KPSH-së, mjekët dhe infermierët, OJQ-të vendore- PRAK, KOPF, Polis, Mundesia.

Agjenda_Fletënotimi komunitar

Çka është Fletënotimi i Komunitetit?

FNK-ja është një mjet i pjesëmarrjes dhe llogaridhënies sociale për vlerësimin, planifikimin, dhe monitorimin e shërbimeve. Ajo i bashkon anën e kërkesës (përdoruesi i shërbimit) dhe anën e ofertës (ofruesi i shërbimit) të një shërbimi apo programi të veçantë për të analizuar së bashku çështjet që theksojnë problemet me ofrimin e shërbimeve dhe gjejnë një mënyrë të përbashkët për adresimin e këtyre çështjeve. Është një mënyrë thelbësore për rritjen e pjesëmarrjes, llogaridhënies dhe transparencës ndërmjet përdoruesve, ofruesve të shërbimeve dhe vendimmarrësve.

Pse të përdoret FNK?

FNK-ja mund të përdoret për:

  • T’iu ndihmuar ofruesve të shërbimeve që të kuptojnë se çka po funksionon mirë dhe çka duhet të përmirësohet
  • Monitorimin dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, klinikave, projekteve, etj.
  • Përcjelljën e të dhënave (p.sh. disponueshmërinë e barnave, stafit apo pajisjeve në një klinikë)
  • Krahasimin e funksionimit, performancës dhe kënaqshmërisë në klinikë apo në komuna
  • Fuqizimin dhe forcimin e zërit të komunitetit

Pjesëmarrësit ishin shumë aktiv në punëtori dhe ngjarja u përmbyllë me një marrëveshje që Lipjani do të dëshironte të punonte me projektin AQH për zhvillimin e FNK-ve për kujdesin primar shëndetësorë në Kosovë dhe kjo pastaj do të mund të pilotohej në komunën e tyre.

Edhe pse FNK-të përdoren në një numër të vendeve në mbarë botën, deri më tani nuk janë përdorur diku tjetër në rajon – prandaj kjo do të mund të ishte një iniciativë e re jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon.

Punëtoria e rradhës është planifikuar për datën 1 Dhjetor 2017 për të bërë plane më të detajuara në lidhje me atë se si do të zhvillohej dhe pastaj të pilotohej FNK-ja në Lipjan.