Në qendrat shëndetësore në të gjithë Kosovën, gratë si profesioniste shëndetësore po luajnë një rol jetik në forcimin e kujdesit parësor shëndetësor dhe në mbështetjen e komuniteteve për parandalimin dhe menaxhimin e sëmundjeve kronike jongjitëse (SKJ-ve). Nga edukimi shëndetësor dhe zbulimi i hershëm e deri te këshillimi dhe mbështetja e pacientëve, puna e tyre e përditshme i ndihmon njerëzit t’i kuptojnë më mirë rreziqet për shëndetin e tyre dhe të përvetësojnë stile më të shëndetshme jetese.
Për shumë profesionistë shëndetësorë, fuqizimi i pacientëve përmes njohurive është një nga aspektet më të rëndësishme të punës së tyre. Dr. Arieta Pula, mjeke e mjekësisë familjare, punon ngushtë me pacientët për t’i ndihmuar ata t’i kuptojnë rreziqet për shëndetin e tyre dhe të bëjnë zgjedhje më të shëndetshme. Përtej punës së saj në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), ajo shpesh iu bashkohet sesioneve informuese në komunitet, duke sjellë mesazhe për edukim shëndetësor dhe parandalim drejtpërdrejt te njerëzit në komunitetet e tyre.
“Kur njerëzit i kuptojnë herët rreziqet për shëndetin e tyre, ata kanë më shumë gjasa të bëjnë ndryshime të qëndrueshme dhe të shëndetshme. Edukimi është një nga mjetet më të fuqishme që kemi për t’i parandaluar dhe menaxhuar SKJ-të”, shpjegon dr. Arieta Pula, mjeke e mjekësisë familjare, gjatë pjesëmarrjes në sesione të synuara ndërgjegjësuese për SKJ-të me komunitetet në Prishtinë.

Sëmundjet kronike jongjitëse siç janë sëmundjet kardiovaskulare, diabeti dhe hipertensioni mbeten ndër sfidat kryesore shëndetësore. Parandalimi dhe zbulimi i hershëm janë thelbësore.
Dhomat për Promovim dhe Edukim Shëndetësor (këshillimoret), të cilat shërbejnë si qëndra të burimeve shëndetesore dhe janë të vendosura brenda QKMF-ve dhe Qendrave të Mjekësisë Familjare (QMF-ve), luajnë një rol të rëndësishëm në mbështetjen e kësaj pune duke ofruar hapësira të dedikuara ku pacientët mund të marrin këshillim, të monitorojnë indikatorët e tyre shëndetësorë dhe të mësojnë si ta menaxhojnë më mirë gjendjen e tyre shëndetësore. Në 37 këshillimore të tilla, infermierët po udhëheqin përpjekjet për mbështetjen e komuniteteve më të shëndetshme.
“Që nga fillimi i shërbimeve të këshillimit motivues janë vërejtur ndryshime pozitive në nivelin e njohurive. Pacientët janë më të vetëdijshëm për faktorët e rrezikut, më të interesuar për vetëmenaxhimin e gjendjes së tyre shëndetësore dhe shumë prej tyre kanë filluar madje të ndryshojnë stilin e jetesës përmes ushqyerjes më të shëndetshme, aktivitetit fizik dhe kontrolleve të rregullta”, shton Besiana Gashi, infermiere në këshillimoren në QKMF Klinë.
Për pacientët, kjo mbështetje mund të bëjë një ndryshim të rëndësishëm në jetën e përditshme. Qasja në udhëzim, monitorim dhe edukim shëndetësor ua mundëson shumë individëve të menaxhojnë më mirë shëndetin e tyre në mënyrë të pavarur.

“Është mirë këtu, na presin ngrohtë dhe na trajtojnë mirë. Fillimisht na kontrollojnë tensionin e gjakut dhe nivelin e sheqerit, dhe me kalimin e kohës njihemi me njëri-tjetrin. Kjo të bën të ndihesh më mirë dhe më e përkujdesur. Unë vij shpesh, sa herë që duhet ta monitoroj gjendjen time shëndetësore,” thekson Ramije Miftari, 59 vjeçare, nga komuniteti rom.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), gratë vazhdojnë të përballen me sfida shëndetësore që shpesh anashkalohen dhe që ndikohen nga faktorë biologjikë, socialë, ekonomikë, kulturorë, tregtarë dhe mjedisorë, duke vënë në rrezik shëndetin dhe mirëqenien e tyre. Duke adresuar këto sfida dhe duke mbështetur gratë në menaxhimin e shëndetit të tyre, punonjësit shëndetësorë i ndihmojnë pacientët t’i kuptojnë rreziqet e tyre, të përvetësojnë sjellje më të shëndetshme dhe të monitorojnë gjendjen e tyre shëndetësore, duke kontribuar ndjeshëm në uljen e barrës së SKJN-ve dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës.
Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, ne festojmë përkushtimin dhe ndikimin e grave profesioniste shëndetësore që çdo ditë po kontribuojnë në ndërtimin e komuniteteve më të shëndetshme. Duke qenë se ato përbëjnë 78% të fuqisë punëtore në sektorin e shëndetësisë në Rajonin Evropian të OBSH-së, është po ashtu thelbësore të sigurohet që zëri i tyre të përfshihet në vendimet që formësojnë sistemet shëndetësore.