Çdo vit, Dita Botërore e Diabetit na rikujton diçka që shkon përtej një date në kalendar, atë që diabeti është një shoqërues i përditshëm për shumë njerëz, ndikon në rutinat, zakonet dhe vendimet që lidhen me shëndetin e tyre. Tema e vitit 2025, “Diabeti gjatë fazave të jetës”, me theks të veçantë në “Diabeti dhe vendi i punës”, u kërkon komuniteteve kudo që të shohin përtej kujdesit klinik dhe të reflektojmë mbi mjediset ku jetojmë e punojmë, dhe mbi rëndësinë e krijimit të kushteve që ndihmojnë njerëzit të qëndrojnë të shëndetshëm në shtëpi, jashtë, dhe aty ku kalojnë pjesën më të madhe të ditës.
Me këtë frymë, Komunat Demonstruese të AQH, Lipjani dhe Gjakova bashkuan qytetarë, profesionistë shëndetësorë dhe institucione në aktivitete që ndërthurën lëvizjen, bashkëbisedimin dhe mësimin praktik. Kjo është një vazhdimësi e rolit të tyre si pika demonstruese, vende që udhëheqin me shembull dhe tregojnë vazhdimisht vlerën e informimit, parandalimit dhe menaxhimit praktik të shëndetit.
Promovimi i stileve të shëndetshme të jetesës përmes aktiviteteve komunitare në Lipjan

Mëngjesin e 6 nëntorit 2025, një grup të moshuarish nga Lipjani u mblodhën në parkun e bukur të Blinajës. Ndërsa filluan ecjen e tyre për mirëqenie, përgjatë shtegut, pjesëmarrësit mësuan pse diçka aq e thjeshtë sa një ecje e përditshme mund të ndihmojë në kontrollin e sheqerit në gjak, shëndetin e zemrës dhe madje edhe ekuilibrin emocional.
Pas ecjes, grupi u mblodh për një sesion mbi dietën e shëndetshme dhe vetëkujdesin, të udhëhequr nga Dr. Valbona Paçarizi nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK). Biseda u përqendrua te zgjedhjet e përditshme, zakone të vogla dhe të qëndrueshme që me kalimin e kohës mund të përmirësojnë dukshëm shëndetin, si: më pak kripë, më shumë fruta dhe proteina të balancuara në ushqim.
Duke iu drejtuar grupit, Shkëlzen Hajdini, Drejtor i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Lipjan, theksoi se këto aktivitete të mbështetura nga AQH po bëhen pjesë e angazhimit afatgjatë të komunës. Ai shtoi se këto përpjekje tashmë kanë dëshmuar vlerën e tyre për shëndetin e komunitetit dhe do të vazhdojnë të jenë pjesë e planeve dhe buxheteve vjetore të komunës, përfshirë shënimin e Ditëve Botërore të Shëndetit, ekskursioneve dhe aktivitetet e kujdesit shëndetësor të integruar.
Gjakova organizon tryezë të rrumbullakët mbi mirëqenien dhe vendet e shëndetshme të punës

Disa ditë më vonë, më 12 nëntor 2025, Gjakova i kushtoi vëmendje temës së diabetit në vendin e punës, një temë që prek jo vetëm pacientët, por edhe ata që kujdesen për ta. Përfaqësues nga kujdesi shëndetësor parësor dhe dytësor, Oda e Mjekëve, Oda e Infermierëve, Projekti AQH dhe IHS, IKSHP dhe Qendra Kombëtare e Mjekësisë së Punës u mblodhën në një tryezë të rrumbullakët për të diskutuar mbi atë se çfarë do të thotë të krijosh një mjedis të shëndetshëm pune në sektorin shëndetësor.
Tema kryesore e këtij tryeze të rrumbullakët ishte: “Diabeti dhe Mirëqenia: Krijimi i Vendeve të Shëndetshme të Punës për të Gjithë.”
Duke hapur diskutimin, Adelina Shehu Kola, Drejtore e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Gjakovë, foli për angazhimin e komunës për të mbështetur aktivitete të tilla, duke i përshkruar ato si thelbësore si për mirëqenien e qytetarëve ashtu dhe profesionistëve të shëndetit.
Nga ana tjetër, Arben Koshi, Drejtor i QKMF-së së Gjakovës, theksoi rëndësinë e vetëkujdesit jo vetëm për pacientët, por edhe për stafin mjekësor. Merita Shehu, eksperte e lartë e shëndetit nga AQH, vuri në dukje se presionet me të cilat përballen punonjësit shëndetësorë shpesh mbeten të padukshme, edhe pse ato ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e kujdesit.

Oda e Mjekëve të Kosovës prezantoi gjetje të reja mbi ngarkesën psikologjike dhe lodhjen e tepërt (burnout) tek mjekët në Kosovë, duke nxitur një diskutim rreth mënyrës se si institucionet mund t’i mbështesin më mirë ekipet e tyre.
Pastaj, pasoi një panel “Si mund të krijojmë vende pune më të shëndetshme për personelin tonë shëndetësor?”, ku pjesëmarrësit diskutuan mënyra për të ulur stresin, përmirësuar kushtet e punës dhe për të mbështetur si mirëqenien fizike, ashtu edhe atë mendore të punonjësve shëndetësorë.
Në përmbyllje të ditës, pjesëmarrësit dolën për një ecje të mirëqenies në parkun e Shkugzës, duke simbolizuar rëndësinë e integrimit të lëvizjes dhe praktikave të kujdesit për veten në rutinat e përditshme të punës.
Përmes këtyre aktiviteteve, Komunat Demonstruese të AQH, Lipjani dhe Gjakova, treguan se si mund të duket promovimi shëndetësor në nivel lokal dhe i rrënjosur në jetën e përditshme. Duke ndërthurur mësimin, aktivitetin fizik dhe dialogun e hapur, ato po ndihmojnë në ndërtimin e komuniteteve më të shëndetshme dhe po ofrojnë një model për komunat mbarë Kosovën.