Roli i Dhomave të Edukimit dhe Promovimit Shëndetësor (Këshillimoreve) në Fuqizimin e Pacientëve me Sëmundje Kronike Jo-ngjitëse në Kosovë

Sëmundjet kronike jo-ngjitëse (SKJ) si hipertensioni, diabeti, sëmundjet kardiovaskulare dhe astma mbeten ndër shkaqet kryesore të vdekjeve në Kosovë. Përballimi i kësaj barre kërkon që trajtimi të shoqërohet me edukim, ndërgjegjësim dhe angazhim aktiv të pacientëvet. Për t’iu përgjigjur kësaj nevoje të identifikuar, në vitin 2018, Projekti AQH prezantoi, për herë të parë në Kosovë, shërbime të specializuara këshillimi për pacientët kronikë. Aktualisht, këto shërbime ofrohen brenda Dhomave të Edukimit dhe Promovimit Shëndetësor (DEPSH) të krijuara brenda Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), të cilat shërbejnë gjithashtu si këshillimore.

Siç u shpreh një pjesëmarrës i moshuar gjatë një aktiviteti fizik: “Çdokush e njeh veten më së miri, kështu që duhet të jesh edhe mjek i vetes.” Ky mesazh kap thelbin e rolit të Këshillimorë-ve në fuqizimin e pacientëve për të kuptuar, parandaluar dhe menaxhuar vetë sëmundjet kronike.

Këshillimoret tashmë janë funksionalizuar në 28 komuna në të gjithë Kosovën. Duke i pajisur pacientët me njohuri dhe aftësi për të menaxhuar shëndetin e tyre, Këshillimoret përmirësojnë kujdesin për sëmundjet kronike jo-ngjitëse dhe ndihmojnë në forcimin e një sistemi shëndetësor ku pacientët janë partnerë, jo vetëm përfitues.

Një hapësirë për t’u dëgjuar dhe mbështetur

Këshillimoret u ofrojnë qytetarëve hapësirën e duhur ku ata dëgjohen, mbështeten dhe motivohen, ndërkohë që informacioni shëndetësor është I arritshëm dhe kuptueshëm për të gjithë.

“Pacientët e kanë pritur dhomën (këshillimoren) shumë pozitivisht. Ata shpesh theksojnë se kjo formë komunikimi është më e vlefshme se çdo fletëpalosje, sepse u jep atyre mundësinë të bëjnë pyetje dhe të marrin përgjigje menjëherë. Atmosfera miqësore dhe mbështetëse krijon një ndjenjë komuniteti ku njerëzit ndajnë sfidat dhe gjejnë motivim tek njëri-tjetri,” shpjegon Besiana Gashi, infermiere  në Këshillimore, në QKMF Klinë.

Ndikimi është i konsiderueshëm. Vetëm midis janarit dhe qershorit të vitit 2025, u regjistruan 16,274 vizita në të gjitha këshillimoret e Kosovës.

Një nga këta vizitorë është Emin Gashi, 86 vjeç, nga Lipjani, i cili jeton me diabet për vite me radhë. Ai viziton Këshillimoren në QKMF Lipjan për të kontrolluar gjendjen e tij, për ta krahasuar atë me vëzhgimet vetanake dhe për t’u konsultuar me infermierët. “Këshillimi që ata japin është shumë i dobishëm, ne duhet t’i përmbahemi atij. Më ka ndihmuar shumë në menaxhimin e dietës, ushtrimeve dhe gjithçkaje tjetër. Pa ushtrime ose një dietë të duhur, është shumë e vështirë“, thotë ai.

Infermierja e tij, Florije Budakova, konfirmon progresin: “Ka pacientë që e menaxhojnë shumë mirë gjendjen e tyre. Në shumë raste, ne kemi arritur t’i menaxhojmë ata shumë efektivisht, si në rastin e z. Gashi, i cili e ka ulur dozën e insulinës me këshillat që i ofruam.”

Ky besim, shton ajo, rritet përmes monitorimit të rregullt dhe kontaktit me ofruesit e kujdesit shëndetësor, duke i bërë njerëzit më të prirur të mbështeten tek ata sesa në internet apo fletpalosje.

“Që nga fillimi i shërbimeve të këshillimit motivues, janë vërejtur ndryshime pozitive në njohuri. Pacientët janë më të vetëdijshëm për faktorët e rrezikut, më të interesuar në vetëmenaxhimin dhe shumë prej tyre madje kanë filluar të ndryshojnë stilin e tyre të jetesës përmes dietës, aktivitetit fizik dhe kontrolleve të rregullta.” shton infermierja Gashi.

Ngritja e Besimit nga Komunitetet e Cenueshme

Dhomat e Edukimit dhe Promovimit Shëndetësor (DEPSH) janë dëshmuar të ofrojnë mbështetje të barabartë edhe për grupet e cenueshme. Ramije Miftari, 59 vjeçe, nga komuniteti rom, frekuenton rregullisht Këshillimoren në Lipjan, duke ndjekur planin individual të hartuar së bashku me infermieren.

“Është mirë këtu, na presin ngrohtësisht dhe na trajtojnë mirë. Së pari na kontrollojnë tensionin e gjakut dhe nivelin e sheqerit, dhe me kalimin e kohës njihemi më mirë me njëri-tjetrin. Kjo të bën të ndihesh më e lumtur dhe sikur kujdesen më mirë për ty. Vij shpesh sa herë që duhet të monitoroj gjendjen time.”

Duke qenë e prekur me diabet, tension të lartë të gjakut dhe kolesterol, ajo thekson se mirësjellja e stafit e bën ndërveprimin më të lehtë.

Për të mbështetur më tej pacientët, Këshillimoret ofrojnë mjete të tilla si pasaportat/librezat e pacientëve për të përcjellur tensionin e gjakut dhe nivelet e sheqerit midis vizitave. Infermierët i monitorojnë pacientët edhe nëpërmjet telefonatave, duke u siguruar që ata të marrin pjesë në takime. Këto praktika të thjeshta, por efektive, thellojnë besimin dhe përgjegjshmërinë.

Zgjerimi në të gjitha komunat e Kosovës

Projekti AQH me institucione kombëtare dhe nivelin lokal bashkëpunojnë për të ndërtuar kapacitete, për të forcuar infrastrukturën dhe për të rritur ndërgjegjësimin rreth sëmundjeve kronike jo-ngjitëse. Gjërsa projekti është në fazën e tij përfundimtare, disa nga ndërhyrjet e tij më të suksesshme, të tilla si Këshillimoreve, po merren përsipër nga institucionet lokale si dhe po zgjerohen në komuna të tjera.

Zgjerimi nxitet nga një qasje sipas kërkesës, duke zgjeruar ndërhyrjet sipas kërkesës dhe gatishmërisë së komunës. AQH fillimisht krijoi 20 Këshillimore në bashkëpunim me komunat. Kjo përpjekje u koordinua nga Ministria e Shëndetësisë. Që nga viti 2024, 8 komuna të tjera kanë funksionalizuar këshillimoret e tyre vetanake përmes këtij mekanizmi. Më herët këtë vit, Prishtina, kryeqyteti, u bë komuna e fundit që përuroi Këshillimoren e saj të parë.

“Kjo dhomë nuk është vetëm një zonë fizike, është një qendër njohurish, inkurajimi dhe mbështetjeje për çdo individ që dëshiron të përmirësojë jetën e tij,” tha Dr. Izet Sadiku, Drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë, gjatë inaugurimit. Ndërkohë, QKMF-ja në Prishtinë planifikon t’i zgjerojë këto shërbime në rrjetin e saj të Qendrave të Mjekësisë Familjare duke investuar në infrastrukturë dhe zhvillim profesional për t’i sjellë shërbimet më afër komunitetit.

Këshillimoret janë një nga ndërhyrjet më të qëndrueshme të AQH-së. Në bashkëpunim me komunat dhe Ministrinë e Shëndetësisë, aktualisht janë 37 Kkëshillimore aktive, të cilat shtrihen përtej QKMF-ve në Qendrat e Mjekësisë Familjare (QMF) në fshatra, duke i sjellë shërbimet më afër qytetarëve.

Në Lipjan, vendi i parë demonstrues i AQH-së, modeli është zgjeruar tashmë në fshatin Gadime. “Është shumë e rëndësishme të vendosen këto shërbime edhe në QMF, pasi disa fshatra janë larg qytetit dhe mund të mos kenë qasje në shërbime të tilla. Kjo e sjell kujdesin sa më afër pacientëve”, thotë Zejnije Shala, infermiere në QKMF-në e Lipjanit.

Menaxhimit të SKJ-ve në Kujdesin Shëndetësor Parësor

Për të forcuar më tej qëndrueshmërinë, AQH mbështet ndarjen e njohurive mes komunave.

Vetëm në qershor dhe korrik të vitit 2025, u zhvilluan 5 vizita shkëmbimi, ku profesionistë nga më shumë se 12 komuna vëzhguan punën e Këshillimoreve në veprim. Vendet demonstruese në Lipjan dhe Gjakovë shfaqën të dyja modelet, si ato të bazuara në QKMF ashtu edhe ato në QMF-të në fshatra, duke frymëzuar nisma të ngjashme edhe në vende të tjera.

“Këto vizita janë shumë të rëndësishme për ne si një vend demonstrimi,” tha Dr. Violeta Xerxa Thaqi nga QKMF e Gjakovës. “Ne arritëm të tregonim progresin tonë dhe mënyrën se si i përfshijmë pacientët në menaxhimin e gjendjeve të tyre, ndërkohë që fituam edhe ide të reja nga kolegët.”

Vizitat krijuan hapësirë për diskutime të hapura mbi atë se çfarë funksionon, çfarë jo dhe si komuna të ndryshme po përballen me sfida të ngjashme.

Dr. Rushit Ismaili nga QKMF në Prishtinë theksoi vlerën e të parit të gjërave nga afër. “Ne lexojmë raporte, sigurisht”, tha ai, “por në këtë kohë dinamike ku gjithçka po ndodh njëherësh, është e vështirë të përvetësosh vërtet detajet. Është një ndjenjë krejtësisht e ndryshme kur viziton një qendër, sheh se si janë organizuar gjërat, krahason me qendrën tënde dhe flet drejtpërdrejt me njerëzit e angazhuar në punën.” Ai shtoi se edhe kur mendimet janë të ndryshme, këto shkëmbime i ndihmojnë profesionistët të kuptojnë se si të tjerët po i zgjidhin sfidat e ngjashme.

Florije Budakova, infermiere në Këshillimoren e QKMF Lipjan, shton se ata janë vazhdimisht në kontakt me komuna të tjera për të adresuar pyetjet mbi funksionalitetin e dhomës (këshillimores). Këto bashkëpunime tregojnë përkushtimin e vendeve demonstruese të AQH për të ndarë njohuritë dhe të komunave të tjera për të forcuar shërbimet e Kujdesit Shëndetësor Parësor.

Përveç vizitave shkëmbyese, aktivitetet e ndarjes së njohurive zhvillohen edhe në qendra dhe platforma të tjera, si në Kolegjiumin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale (KSHMS) dhe Konferencat e Mjekësisë Familjare.

Ndërtimi i Kapaciteteve Lokale për të Trajtuar SKJ-të

Dhomat nuk do të mund të funksiononin pa staf të trajnuar. Që në fillim, AQH-ja prezantoi trajnimin për Këshillimin Motivues, fillimisht të udhëhequr nga ekspertë ndërkombëtarë dhe më vonë të zgjeruar përmes një modeli të Trajnimit të Trajnerëve. Ky trajnim ndërtoi aftësitë e infermierëve për të komunikuar në mënyrë efektive me pacientët, duke i fuqizuar ata për të mbështetur ndryshimin e sjelljes.

Në vitin 2024, këshillimi motivues u integrua në kurrikulën e Fakultetit të Infermierisë, duke siguruar që brezat e ardhshëm të infermierëve të jenë të pajisur për të udhëzuar pacientët. “Ky integrim do t’i aftësoj studentët tanë të infermierisë mbi teknikat thelbësore të këshillimit, duke i mundësuar atyre të ofrojnë mbështetje edhe më të mirë për pacientët që menaxhojnë sëmundjet kronike”, tha Elvana Podvorica, Drejtoreshë e Departamentit të Infermierisë.

Për infermieret si Nora Namani, e cila punon në Këshillimoren e Fushë-Kosovës, trajnimi ka qenë thelbësor: “Si Këshillimore, ne funksionojmë bazuar në njohuritë e fituara nga ky trajnim, i cili ka qenë shumë i mirë dhe domethënës për ne si staf mjekësor.”

Për më tepër, të trajnuar si trajnerë, infermierët që morën pjesë në këtë program patën mundësi të trajnonin kolegë të tjerë, thekson infermierja Shala.

Kujdesi përtej Institucionit

Përveç konsultave të përditshme, stafi i Këshillimoreve organizon edhe aktivitete përtej mureve. Këto përfshijnë seanca aktiviteti fizik në natyrë dhe seanca informuese mbi jetesën e shëndetshme me mbështetjen e specialistëve të shëndetit publik nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Shëtitjet në natyrë, ushtrimet dhe ngjarjet ndërgjegjësuese kombinojnë edukimin shëndetësor me ndërveprimin shoqëror, duke i ndihmuar qytetarët të përvetësojnë shprehi të qëndrueshme. Infermierja Shala shpjegon se pacientët që i menaxhojnë SKJ-të e tyre në mënyrë më efektive shpesh ndikojnë te personat e tjerë të prekur duke ndarë përvojat dhe rutinat e tyre.

“Ne patëm edhe shëtitje në natyrë ku pacientët jo vetëm mësuan nga ne, por edhe nga njëri-tjetri. Disa pjesëmarrës na thanë se që nga ajo ditë, ata tani ushtrojnë çdo mëngjes,” shprehetinfermierja Shala.

Këto ndryshime të vogla, por të qëndrueshme tregojnë se Këshillimoret kanë shkuar përtej shërbimit, duke u bërë pjesë e procesit drejt komuniteteve më të shëndetshme.

Ndërhyrje të Qëndrueshme

Pas rreth një dekade pune në Kosovë, AQH-ja është në fazën e saj të fundit, duke u përqendruar në zgjerimin  e ndërhyrjeve të dëshmuara dhe kalimin e tyre te autoritetet lokale. Midis këtyre, Këshillimoret dallohen si një model i qëndrueshëm dhe i përqendruar te komuniteti që i fuqizon pacientët të marrin në kontroll shëndetin e tyre.

Duke investuar në edukim, besim, dhe motivim, Këshillimoret vërtetojnë se trajtimi i sëmundjeve kronike j-ongjitëse kërkon më shumë sesa vetëm mjekim, por një sistem kujdesi shëndetësor ku pacientët janë partnerë të barabartë në kujdes.