Kur banorët e Vrellës u mblodhën një pasdite në qendrën e komunitetit, pak prej tyre e mendonin se një bisedë e thjeshtë për diabetin do t’i çonte drejt një kuptimi të ri mbi këtë sëmundje.
Mes këtyre pjesëmarrësve ishte edhe A.M, 37 vjeç, e cila dëgjoi me vëmendje gjërsa ligjëruesit përshkruanin shenjat e hershme të diabetit.
“Simptomat e diabetit, të cilat tani i kuptoj më mirë, ishin gjëra që nuk i kisha njohur kurrë si shenja të diçkaje më serioze”, tha A.M. “Ky sesion na ka hapur vërtet sytë dhe na ka bërë më të vetëdijshëm se sa e rëndësishme është t’i njohim shenjat paralajmëruese herët.”
Si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Projektit AQH për ta sjellë edukimin dhe promovimin shëndetësor më afër komuniteteve, sesionet e vetëdijesimit mbi Sëmundjet Kronike Jongjitëse (SKJ) po mbështeten së bashku me Karvanin e Shëndetit “përSHËNDETje”. Vetëm në shtator, 7 sesione të tilla u organizuan në Obiliq, Shtime, Istog, Pejë, Mitrovicë, Skenderaj dhe Kamenicë, duke i arritur më shumë se 180 qytetarë. Sesionet do të vazhdojnë të zhvillohen edhe për pjesën tjetër të vitit 2025. Këto aktivitete janë duke u implementuar nga OJQ Mundësia, KOPF dhe Syri i Vizionit dhe janë të përqendruar në ngirtjen e njohurive mbi diabetin, hipertensionin dhe astmën, tri sëmundje kronike që shpesh kalojnë pa u vënë re derisa të bëhen serioze.
Rritja e vetëdijesimit për SKJ-të është me rëndësi të madhe për shëndetin publik. Sipas Raportit të ri Global të Hipertensionit të OBSH-së, 1.4 miliardë njerëz kanë pasur shtypjen e lartë të gjakut në vitin 2024, megjithatë vetëm një në pesë persona e kanë atë nën kontroll.

Të organizuara në hapësira të njohura për komunitetin, këto takime ofruan shumë më tepër sesa informacione. Ato krijuan momente afërsie, ku njerëzit u mblodhën për të mësuar, për të bërë pyetje dhe për të ndarë përvojat e tyre personale, nga simptomat që dikur i kishin neglizhuar, deri te ndryshimet e vogla në stilin e jetesës që mund të sjellin përmirësime afatgjata. Pjesëmarrësit patën gjithashtu mundësinë të matnin shtypjen e gjakut, dhe nivelin e sheqerit në gjak, si edhe të mësonin si ta bëjnë këtë në shtëpi, duke i ndihmuar të marrin një rol më aktiv në kujdesin për shëndetin e tyre.
“Përmes këtyre sesioneve, qytetarët fitojnë njohuri që ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre”, tha një përfaqësues nga KOPF. “Këto takime janë një mundësi për të ndërtuar një komunitet më të shëndetshëm dhe më të vetëdijesuar.”
Në zonat rurale, ku qasja në informacionin shëndetësor është shpesh e kufizuar, përpjekje të tilla janë veçanërisht të vlefshme. Përfaqësuesit nga Syri i Vizionit theksuan se këto iniciativa i ndihmojnë qytetarët t’i njohin simptomat herët, t’i kuptojnë rreziqet e mospërfilljes dhe të marrin masa parandaluese për rezultate më të mira shëndetësore.
“Sesionet informuese i ndihmojnë njerëzit t’i njohin simptomat në kohë, t’i kuptojnë pasojat e pakujdesisë dhe t’i motivojnë ata të marrin masa parandaluese për një jetë më të shëndetshme”, vuri në dukje Syri i Vizionit. “Është veçanërisht e rëndësishme që këto sesione të zhvillohen në zonat rurale, ku njerëzit mund të mos kenë gjithmonë qasje në informacion të besueshëm shëndetësor ose të kuptojnë seriozitetin e këtyre sëmundjeve.”

Duke sjellë njohuritë direkt tek komunitetet, iniciativa të tilla ndihmojnë qytetarët të marrin kontroll mbi shëndetin e tyre.
Aktivitetet e edukimit dhe promovimit shëndetësor të Projektit AQH gjatë viteve kanë arritur deri në 30,000 qytetarë, duke përfshirë mbi 17,000 gra, 12,000 burra dhe 7,800 anëtarë të komuniteteve etnike joshumicë.