Shkolla Verore e Luganos për Shëndetin Publik, Hub-i në Prishtinë, është duke u zhvilluar nga dita e hëna, 18 gusht dhe zgjat deri ditën e shtunë, 23 gusht 2025. Shkolla ka bërë së bashku 18 profesionistë të kujdesit shëndetësor nga sektori primar dhe sekondar në Kosovë, si dhe specialistë të shëndetit publik, për të forcuar njohuritë e tyre dhe për të shkëmbyer praktikat më të mira.
Këtë vit, pjesëmarrësit e Prishtina Hub ndjekin kurse mbi Sistemet Digjitale të Shëndetit, Shëndeti Publik dhe Ushqyerja, Sëmundjet Jo-Ngjitëse (NCD) dhe Sistemet Shëndetësore, si dhe Mendimin Kreativ (Design Thinking). Përmes këtyre kurseve, ata fitojnë njohuri të reja, aftësi praktike dhe ekspozohen ndaj qasjeve globale në shëndetin publik.
Prishtina Hub ka një histori të veçantë. Në vitin 2020, kur pandemia COVID-19 e bëri të pamundur udhëtimin në Lugano, AQH organizoi një grup pjesëmarrësish nga Kosova që të ndiqnin kursin e Shkollës Verore në Prishtinë. Ajo që nisi si një zgjidhje e njëhershme, tani është kthyer në një traditë: për gjashtë vjet me radhë, Prishtina ka mirëpritur një Hub lokal të Shkollës Verore.
Duke qenë Hub-i i parë jashtë Zvicrës, Prishtina hapi rrugën për zgjerimin. Sot, Shkolla Verore e Luganos ka arritur të zgjerohet në tetë Hub-e, duke mundësuar që profesionistë nga rajone të ndryshme të lidhen, mësojnë dhe të përfitojnë nga njohuritë, inovacionet dhe ndërhyrjet më të fundit në shëndetin publik.
Që prej dy vitesh, Prishtina Hub implementohet nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK) dhe zhvillohet në ambientet e tij. Organizimi i këtij eventi mbështetet nga të dy projektet e Swiss TPH në Kosovë: Projekti për Kujdes Shëndetësor të Qasshëm dhe Cilësor (AQH) dhe Projekti i Shërbimeve Shëndetësore të Integruara (IHS), në bashkëpunim me Shkollën Zvicerane të Shëndetit Publik (SSPH+).
Më shumë informata rreth kurseve të kësaj shkolle mund të gjeni këtu.