Teksa projekti Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor (AQH) hyn në fazën e tij të fundit, po zbatohet një qasje e re për zgjerimin e ndërhyrjeve, e cila po ndryshon mënyrën se si ndërhyrjet e qëndrueshme në kujdesin shëndetësor përhapen dhe mbështeten në mbarë vendin. Projekti ka zbatuar një qasje të bazuar në nevojat e vetë komunave, e njohur si ‘’On-Demand” ose “Mekanizmi sipas kërkesës”, duke fuqizuar menaxherët shëndetësorë në gjithë Kosovën që të identifikojnë, të përcaktojnë prioritetet dhe të zbatojnë ndërhyrje me mbështetjen e projektit, me fokus te sëmundjet jo-ngjitëse.
Mekanizmi Sipas Kërkesës është krijuar si një mjet i Grupit të Punës të Ministrisë së Shëndetësisë në maj të vitit 2024, i njohur zyrtarisht si Grupi i Punës Ad-Hoc. Grupi bashkon përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë, Kolegjiumi i Drejtorive Komunale të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (KDKShMS), Projekti AQH dhe akterë të tjerë përkatës. Së bashku, ata po mbështesin përmirësimin e vazhdueshëm të kujdesit parësor shëndetësor në Kosovë, duke u bazuar në parimet e zotërimit lokal, shkëmbimit të përvojave ndërmjet profesionistëve dhe përputhjes me prioritetet kombëtare.
“Grupi luan një rol të rëndësishëm në monitorimin e progresit, ndërtimin e kapaciteteve dhe dhe kthimin e praktikave të suksesshme në përmirësime afatgjata që i sjellin dobi të gjithë sistemit të kujdesit shëndetësor në të gjithë Kosovën”, shpjegoi Naim Bardiqi, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë.
Kjo qasje është tani në thelb të procesit të zgjerimit. Nga komunat më me përvojë, duke përfshirë komunat demonstruese të projektit, deri te ato të sapo përfshira, kjo i mundëson të gjithëve të ndërtojnë mbi atë që funksionon, të mësojnë nga njëri-tjetri dhe të zgjerojnë ndikimin e projektit në të gjithë vendin.
“Mekanizmi Sipas Kërkesës siguron që ndërhyrjet të jenë të përshtatura dhe të përqendruara në nevojat konkrete të komunave”, thotë Linda Mulolli, Konsulente e Projektit AQH, e cila ka fasilituar shkëmbimet e përvojave midis komunave brenda Kolegjiumit. “Kjo gjë i mundëson komunave të identifikojnë dhe zgjedhin aktivitetet që kanë më shumë kuptim për komunitetet e tyre.”
Nga zbatimi i projektit deri te pronësia komunale
Takimi i parë i Grupit të Punës Ad-Hoc u zhvillua në qershor të vitit 2024, duke nisur një proces që tani është një pjesë kyçe e strategjisë së AQH për zgjerim. Grupi shqyrton propozimet nga komunat, duke u përqendruar në fizibilitetin dhe pajtueshmërinë me objektivat kombëtare shëndetësore.
“Grupi i Punës Ad-Hoc dhe procesi i zgjerimit në komuna të reja ndihmojnë Ministrinë e Shëndetësisë të sigurojë një proces të koordinuar zgjerimit të ndërhyrjëve të AQH, të harmonizuar me prioritetet kombëtare dhe të mbështesin planet më të gjera për zhvillimin e Kujdesit Parësor Shëndetësor”, tha z. Bardiqi.
Ministria e sheh këtë proces si një hap drejt një qasje më të strukturuar dhe të orientuar drejt rezultateve për zgjerimin e përpjekjeve në kujdesin parësor shëndetësor.
“Ministria e Shëndetësisë mbetet e përkushtuar për të vazhduar funksionimin e Grupit të Punës Ad-Hoc duke e integruar atë në kuadër të planifikimit kombëtar për zhvillimin dhe forcimin e Kujdesit Parësor Shëndetësor… Përmes këtij grupi, Ministria synon të realizojë monitorimin e vazhdueshëm të progresit në zbatimin e politikave shëndetësore, të forcojë bashkëpunimin me komunat dhe të avancojë përpjekjet për stimulimin finanicar të performancën në Kujdesin Parësor Shëndetësor, nëpërmjet mekanizmave të pagesës të bazuara në performancë”, tha z. Bardiqi.
Një platformë për shkëmbim përvojash mes profesionistëve të shëndetësisë dhe komunave
Një nga ndikimet e procesit të zgjerimit ka qenë roli aktiv i Kolegjiumit, që funksionon në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK). Ai është kthyer në një platformë të vlefshme për koordinim, komunikim dhe ngritje kapacitetesh mes drejtorëve komunalë të shëndetësisë në të gjithë vendin.
Përmes takimeve të rregullta, vizitave në terren dhe punëtorive, si komunat me përvojë ashtu edhe ato të reja po mësojnë nga njëra-tjetra. Komunat e reja shohin nga afër se si funksionojnë ndërhyrjet në praktikë, duke përfshirë këshillimin për sëmundjet kronike dhe përdorimin e Dhomave të Edukim dhe Promovim Shëndetësor. Dhoma per Edukim dhe Promovim Shendetesor
“Komunat që kishin zbatuar tashmë ndërhyrjet e mbështetura nga AQH ishin në gjendje të udhëzonin dhe frymëzonin ata që u angazhuan rishtazi në kuadër të AQH III”, thotë Mulolli.
Deri në vitin 2024, AQH ka mbështetur 20 komuna, duke mbuluar rreth 50% të popullsisë së Kosovës. Në fazën e tretë dhe të fundit, të gjitha 38 komunat në Kosovë janë të ftuara të jenë pjesë e projektit përmes Mekanizmit Sipas Kërkesës. Deri më tani, 14 komuna të tjera kanë kërkuar zyrtarisht dhe po marrin mbështetje.
Lipjani, një nga 2 qendrat demonstruese të AQH, është e përfshirë në mënyrë aktive në shkëmbimin e përvojave. Meqenëse disa shërbime janë ende duke u krijuar në komunat e sapo-angazhuara, të mësuarit mes kolegësh është bërë një komponent kyç i Mekanizmit Sipas Kërkesës.
“Ne besojmë se është shumë e rëndësishme që komunat me përvojë si Lipjani të ndajnë praktikat e tyre”, theksoi Agim Krasniqi, Drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan. “Përmes këtyre vizitave, pjesëmarrësit tani mund të zbatojnë ndërhyrje të ngjashme, veçanërisht kur bëhet fjalë për edukimin për sëmundjet kronike dhe shtrirjen e aktiviteteve në komunitet.”
Vitia, një komunë e përfshirë rishtazi, ka filluar tashmë të zbatojë njohuritë nga këto shkëmbime për të forcuar ndërhyrjet e veta.
“Pas vizitës në Lipjan, menjëherë filluam të punonim në Dhomën tonë të Edukimit dhe Promovimit Shëndetësor”, tha Vjollca Kadolli – Halili, Drejtoreshë e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Viti. “Duke parë ndërhyrjet [në Lipjan] dhe biseda me stafin na ndihmoi të kuptonim se si ta përshtatnim atë në kontekstin tonë.”
Që nga vizita, Vitia ka bashkë-financuar dhe zbatuar gjithashtu një Projekt për Përmirësimin e Cilësisë, duke rritur cilësinë e shërbimeve emergjente, rrjedhen e pacientëve dhe aktivitetet e Zhvillimit të Vazhdueshëm Profesional.
Këto vizita në terren ofrojnë më shumë sesa thjesht informacion teknik, ato japin një pamje të asaj që është e mundur, madje edhe në mjedise me burime të kufizuara. Punonjësit shëndetësor komunalë ecin nëpër Dhomat funksionale të Edukimit dhe Promovimit Shëndetësor, vëzhgojnë teknikat e angazhimit të pacientëve dhe flasin drejtpërdrejt me infermierët dhe mjekët vendas rreth asaj që funksionon dhe çfarë jo.
Duke treguar se si shërbimet integrohen në përditshmeri, komunat me përvojë si Lipjani ndihmojnë në ngritjen e besimit dhe motivimit të komunave vizituese. Kjo i inkurajon ata të ndërmarrin hapa konkretë për të përmirësuar shërbimet në komunitetet e tyre.
Duke ndërtuar së bashku një Kosovë më të shëndetshme
Që nga themelimi i Grupit të Punës, AQH ka realizuar një sërë aktivitetesh, duke përfshirë vizita në terren në komuna të reja. Këto vizita prezantuan projektin dhe qëllimet e tij, dhe u dhanë ekipeve të menaxhimit një mundësi për të shprehur interesin e tyre për ndërhyrje specifike.
Ajo që e dallon Mekanizmin Sipas Kërkesës është ndryshimi i roleve të tij. Në vend që komunat të presin të zgjidhen për një projekt ose t’u caktohet një ndërhyrje, ato tani po e fillojnë procesin, bazuar në planifikimin, prioritetet dhe gatishmërinë e tyre. Ndërsa AQH do të vazhdojë të mbështesë këtë zgjerim, roli udhëheqës është në duart e komunave. Kjo ndihmon në sigurimin e qëndrueshmërisë dhe që ndërhyrjet e suksesshme të vazhdojnë edhe pas përfundimit të projektit.
Projekti AQH financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe zbatohet nga Instituti Zviceran për Shëndetin Tropikal dhe Publik/ Swiss TPH