Mjekët familjarë trajnohen për protokollet PEN

Më 23 prill 2025, një grup prej 25 mjekëve familjarë dhe mjekëve të përgjithshëm të 11 komunave të mbarë Kosovës u bënë bashkë në një trajnim gjithëpërfshirës lidhur me paketën e OBSH-së së Ndërhyrjeve Esenciale të Sëmundjeve Jo-ngjitëse (PEN). Trajnimi u organizua nga Asociacioni i Mjekëve Familjarë të Kosovës (AMFK), Master Trainers në Mjekësi Familjare, nën mbështetjen e projektit Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor (AQH). 

Protokollet PEN janë përshtatur në kontekstin lokal të kujdesit shëndetësor parësor dhe janë përfshirë në Udhërrëfyesit dhe Protokollet Klinike Kombëtare, të cilat janë zhvilluar nga grupe pune të dedikuara dhe janë miratuar nga Ministria e Shëndetësisë përmes Këshillit Kombëtar të Udhëzimeve dhe Protokolleve Klinike (KKUPK).

I hartuar posaçërisht për ofruesit e kujdesit shëndetësor në kujdesin parësor, veçanërisht për mjekët familjarë, trajnimi u përqendrua në kuptimin e paketës esenciale për sëmundjet jo-ngjitëse (SJN) dhe në përmirësimin e aftësive klinike për të menaxhuar më efektivisht këto gjendje, si diabeti i tipit II, hipertensioni dhe astma, veçanërisht tek popullatat e moshuara dhe ato në rrezik.

Drita Lumi, specialiste e mjekësisë familjare, theksoi vlerën e trajnimit:

“E konsideroj këtë trajnim si me shumë vlerë… Ne presim që ai do t’i motivojë mjekët familjarë që t’i referojnë në mënyrë aktive pacientët e tyre në Dhomën e Edukimit dhe Promovimit Shëndetësor, ku edukatorët e trajnuar do të ofrojnë këshilla mbi faktorët e rrezikut dhe mbështetje të vazhdueshme për ata që jetojnë me sëmundje jo-ngjitëse (SJN)”, theksoi  ajo.
 

Mjekët familjarë janë pika e parë e kontaktit në sistemin shëndetësor dhe luajnë rol jetik në udhëzimin e pacientëve përmes kujdesit, veçanërisht atyre që jetojnë me SJN. 

Ky ishte sesioni i parë i një serie prej katër sesionesh të planifikuara midis prillit dhe qershorit të vitit 2025, të cilat do të menaxhohen dhe ofrohen nga AMFK, Master Trainers në Mjekësi Familjare, në bashkëpunim të ngushtë me projektin AQH. Komunat pjesëmarrëse përfshijnë Prishtinën, Prizrenin, Gjilanin, Ferizajin, Vitinë, Kaçanikun, Hanin e Elezit, Suharekën, Mamushën, Dragashin dhe Podujevën.

Duke forcuar aftësitë e ofruesve të kujdesit parësor dhe duke përfshirë praktikat e bazuara në prova në kujdesin e përditshëm, kjo iniciativë po hedh themelet për një sistem kujdesi shëndetësor më të qëndrueshëm dhe komunitete më të shëndetshme në mbarë Kosovën, ndërsa i jep përparësi mirëqenies së pacientëve me sëmundje kronike, duke synuar posaçërisht popullatat e cenueshme të moshës 65 vjeç e lart, në përputhje me qëllimet e projektit AQH.