Për të shënuar Ditën Botërore të Aktivitetit Fizik, më 7 dhe 8 prill 2025, në Lipjan dhe Gjakovë u mbajtën dy sesione komunitare me aktivitete fizike. Më shumë se 50 të moshuar që jetojnë me sëmundjet kronike jongjitëse (SKJ) morën pjesë në këto sesione, të cilat përfshinë ushtrime të lehta, këshilla praktike për shëndetin, udhëzime për ushqim të shëndetshëm dhe këshilla për menaxhimin e sëmundjeve kronike.
Në Lipjan, këto aktivitete janë zhvilluar për vite me radhë. Të organizuara nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) dhe të mbështetura nga Komuna, ato janë tashmë pjesë e përpjekjeve lokale për promovimin e shëndetit. Por këtë vit, për herë të parë, edhe Gjakova iu bashkua iniciativës. Komuna dhe QKMF-ja e Gjakovës organizuan një aktivitet të ngjashëm, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të shërbimeve shëndetësore parandaluese.
Luljeta Reçica, infermiere në QKMF-në e Lipjanit, udhëhoqi sesionet praktike në të dyja qytetet, duke i udhëzuar pjesëmarrësit përmes ushtrimeve për ruajtjen e shëndetit fizik. Ndërkohë, Dr. Pranvera Krasniqi mbuloi pjesën edukative, ku ndau këshilla mbi jetesën e shëndetshme, ushqimin dhe menaxhimin e sëmundjeve kronike.
Këto aktivitete janë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të zhvendosur fokusin e kujdesit shëndetësor nga trajtimi, drejt parandalimit, përfshirjes dhe angazhimit të komunitetit. Kështu, këto aktivitete tregojnë se të moshuarit mund të luajnë një rol aktiv në ruajtjen e shëndetit dhe mirëqenies së tyre.
Për shumë pjesëmarrës, kjo ishte hera e parë që morën pjesë në një aktivitet të tillë, dhe vlerësimi ishte jashtëzakonisht pozitiv


Lipjani dhe Gjakova janë dy qendra demonstruese të projektit për Kujdes Shëndetësor të Qasshëm dhe Cilësor (AQH). Qëllimi i tyre është të tregojnë se si kujdesi parësor shëndetësor mund të zbatojë ndërhyrje cilësore përgjatë gjithë procedurave të shërbimeve të pacientit, nga edukimi e deri te ngritja e kapaciteteve të stafit për ofrim të shërbimeve cilësore.
Implementimi i modeleve të ngjashme edhe në komunet e tjera mund të përmirësojë shëndetin e komunitetit dhe t’i fuqizojë më shumë qytetarët, veçanërisht të moshuarit, që të kujdesen për shëndetin e tyre