Lansimi I fushatës së edukimit shëndetësor lidhur me faktorët e rrezikut për diabetin dhe hipertensionin

  • IMG_2287
  • IMG_2290

Të premten, më 16 mars 2018 u bë lansimi i një fushate 6 javore të edukimit shëndetësor për të informuar publikun rreth faktorëve të rrezikut për diabetin dhe hipertensionin. Fushata mbështetet nga Projekti i Kujdesit Shëndetësor të Qasshëm dhe Cilësor i cili financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC). Projekti bashkëpunon me 12 komuna për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve të kujdesit primar shëndetësor (Fushë Kosovë, Gjakovë, Gllogoc, Graçanicë, Junik, Lipjan, Malishevë, Mitrovicë, Obiliq, Rahovec, Skenderaj dhe Vushtrri) me fokus të veçantë në sëmundjet jo ngjitëse (SJN-të).

Në vitin 2016 projekti ka zhvilluar një studim të ‘Njohurive, qëndrimeve, praktikave dhe sjelljeve për sëmundjet jo-ngjitëse’. Ky studim tregoi se vetëm 15% e njerëzve të përfshirë në studim ishin në dijeni rreth faktorëve të rrezikut për diabetin dhe hipertensionin. Prandaj, qëllimi i kësaj fushate është që t’i ofrojë publikut më shumë informacione rreth këtyre faktorëve të rrezikut, në mënyrë që ata që janë në rrezik të dinë se duhet të shkojnë për t’u kontrolluar tek mjeku i tyre i mjekësisë familjare.

Materialet për fushatën janë krijuar në bashkëpunim me akterët kombëtarë, duke u bazuar në informacionet kthyese (reagimet) e përfaqësuesve të komunitetit.

Prof Ass Dr Ilir Begolli , Drejtor i Departamentit të mjekësisë sociale , Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, deklaron:

“Sëmundjet jo ngjitëse botërisht njihen si një problematikë shëndetësore në rritje, dhe sëmundja e diabetit dhe hipertensioni njihen si dy nga sëmundjet më të shpeshta jo ngjitëse që kontribuojnë në komplikime afatgjata shëndetësore dhe të cilat kanë një ndikim të madh në cilësinë e jetës së pacientit dhe familjes së tyre.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë e konsideron forcimin/ngritjen e edukimit shëndetësor dhe promovimin e shëndetit si fushë prioritare në Kosovë. Ne jemi shumë të lumtur që po lansojmë këtë fushatë, sepse kur njerëzit të kuptojnë faktorët e rrezikut të lidhur me diabetin dhe hipertensionin, ata do të jenë në një pozitë shumë më të mirë për të ndërmarrë hapa të vegjël që mund të zvogëlojnë gjasat për ndonjë komplikim afatgjatë shëndetësor ose madje edhe të parandalojnë këto dy sëmundje.”

Reklamat dhe njoftimet ne radio dhe televizion lidhur me fushatën janë lansuar, së bashku me panot që do të shfaqen në Mitrovicë, Gjakovë, Vushtrri dhe Obiliq dhe posterët dhe fletëpalosjet informuese që do të jenë në dispozicion në të gjitha 81 Qendrat e Mjekësisë Familjare të mbështetura nga projekti. Fushata do të zhvillohet në rrjetet kombëtare dhe lokale të televizionit dhe të radios deri në fund të muajit prill 2018.

Informacionet e mëtejshme në lidhje me Projektin e AQH-së janë në dispozicion në ueb-faqen www.aqhproject.org